VIDEO/ Rama në Lezhë: Pa gruan unë jam si ndërtim pa leje, kemi në lista 71 zonja për deputete
Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi këtë pasdite një takim me gratë dhe vajzat e qarkut Lezhë. Ai theksoi se 11 maji më shumë se zgjedhje për qeverisjen e vendit në 4 vitet e ardhshme, dhe se është një moment vendimtar për realizimin e ëndrrës dhjetëra-vjeçare të shqiptarëve, anëtarësimin në BE. Me batuta tha se pa gruan ai vetë është si “ndërtim pa leje”.
”E kemi nisur me diku te 10-12% gra dhe vajza në këshillat bashkiakë dhe zgjedhje pas zgjedhjesh, arritëm 50% gra dhe vajza në këshillat bashkiakë. Prej disa vitesh e kemi qeverinë e Shqipërisë në pesëshen e parë të Kombeve të Bashkuara për praninë e grave në nivelin më të lartë drejtues të vendit. Në tabelën e Forumit Ekonomik Botëror, Shqipëria është vendi 23 për nivelin e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në jetën publike”,-tha Rama.
Po ashtu Rama shtoi se skuadra e këtij viti e PS-së ka në përbërje të saj 71 gra, ndërkohë që në listën e mbyllur 52% janë gra. ”Të gjitha këto janë rezultat i një procesi, përpjekje dhe këmbëngulje të madhe dhe tani janë rezultat edhe i bindjes se gratë dhe vajzat janë vlerë e shtuar. PS sot ka mbështetjen e 56% të grave dhe vajzave të Shqipërisë, pra shkon përtej mbështetjes të përgjithshme. Llogaria është shumë e thjesht, ne kemi 56% të grave në gjithë Shqipërinë, kemi votuesit e parë shumicë, na duhet vetëm gjysma e burrave dhe fitojmë, jemi në rregull”.
Rama nuk la pa përgjigje dhe komentet për batutën e tij lidhur me burrat gjatë takimit të djeshëm me gratë dhe vajzat e qarkut Dibër. “Janë mërzitur që si i thotë Rama më shumë se gjysmës së burrave çyryk. Unë nuk e di, mund të jenë më shumë se gjysma, por unë them se aq janë, se sikur mos të ishim gjysma e burrave e çyryk këtë vend, e dini ku do të ishte Shqipëria sot? Se burrat e kanë pasur në dorë për një kohë shumë të gjatë dhe më thoni ju mua tani, a është normal një burrë që shkon dhe hidhet në kënetë me kokë? Kush nuk e pranon që është çyryk, duhet thjesht dhe vetëm të deklarojë që nuk është më me kënetën por me BE-në. Në momentin që thotë “jam me BE-në” dhe jo me kënetën, merr certifikatën që është normal”,-tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

