VIDEO/ Rama në Memaliaj: Në 11 maj zgjedhja është mes Shqipërisë në BE apo me bufin në kënetë
Kreu i PS-së, Edi Rama zhvilloi këtë mbrëmje një takim elektoral me socialistët e Memaliajt. Në takim Rama u prit me muzikë polifonike të zonës, ndërsa fjalën e hapjes e mbajti drejtuesja politike e qarkut të Gjirokastrës, Mirela Kumbaro. Ajo tha se vota në 11 maj do të jetë për PS. ”Asnjë dyshim për këtë”, tha Kumbaro. ”E kemi kthyer qarkun e Gjirokastrës në destinacionin më të mrekullueshëm të agroturizmit”, vijoi Kumbaro. Sipas saj, qarku i Gjirokastrës i ka bashkuar duart për fitoren e mandatit të katërt të PS në 11 maj. Fjalën e morën dhe kandidatët e PS për qarkun Gjirokastër. Rama tha se në 11 maj zgjedhja është mes Shqipërisë me BE-në, në Europë dhe Shqipërisë me Bufin e Kënetës prapë në gropë.
Pjesë nga fjala e Ramës
Unë e di shumë mirë që në këtë zonë nuk ka nevojë për shumë fjalime, se juve gdhiheni me politikë, ngryseni me politikë. Unë e di shumë mirë që në këtë zonë nuk ka nevojë as të hap gojën ai që vjen për të kërkuar mbështetje, që ju në ndërkohë ia keni lexuar të tëra mendimet. Sepse ju e ndiqni përditë jetën politike të këtij vendi, e keni këtë, e keni pasur gjithnjë dhe nuk dua të mbaj një fjalim të gjatë këtu, por dua t’ju them shumë thjeshtë që kthejeni pak kokën pas dhe mbyllni sytë dhe shikoni ku ishte Tepelena, ku ishte Memaliaj, ku ishte qarku i Gjirokastrës, kur ne morëm detyrën falë besimit dhe mbështetjes suaj.
Ne këtu jemi të gjithë të barabartë jemi të gjithë një. Ne jemi të gjithë këtu të barabartë dhe të gjithë një dhe unë nuk jam heroi juaj, jam kali që keni zgjedhur të tërheqë karrocën, kaq. Për t’iu shërbyer edhe për të bërë histori së bashku.
Kështu që ju me historinë e keni raportin dhe në 11 maj, motra dhe vëllezër na ka ardhur neve, fati e ka dashur që të na vijë neve, shqiptarëve dhe shqiptarëve të kësaj kohe mundësia që të bëjmë histori së bashku dhe të përmbyllim një kalvar të gjatë, që fillon nga shumë larg nga koha kur Gjergj Kastrioti, profeti i historisë sonë kombëtare, na e përcaktoi se nga duhet të shikonim. Nga Europa, jo nga Azia, dhe pastaj breza pas breza, shekujsh pas shekujsh, e kthyen atë profeci në një amanet.
Ajo pasaportë na bën ne përfundimisht, jo vetëm me zakon, se me zakon jemi ne në mes të Europës, por na bën ne edhe me dokument qytetar të barabartë dhe s’ka më franceze, gjermane, italiane, greke, ça të dojë që të na shikojë nga lart-poshtë. Ne arritëm t’ia ngremë Shqipërisë kokën. Ne arritëm t’ia nxjerrim Shqipërisë zërin e mirë. Ne arritëm ta kthejmë Shqipërinë nga një vend ku s’donte të vinte njeri në një vend që vjet erdhën 12 milionë njerëz. Ne arritëm t’i bëjmë këto zona deri të jetë braktisura, zona të fillimit të turizmit.
KOHA JONË SONDAZH

