VIDEO/ Rama në Tokyo: Thelbësore që Japonia të jetë më e pranishme në Ballkan
Kryeministri shqiptar Edi Rama e quajti thelbësor shtimin e pranisë së Japonisë në Ballkanin Perëndimor. Gjatë një konference të përbashkët për mediat me homologun japonez Fumio Kishida, Rama e ftoi atë të vizitonte vendin tonë.
“E vizitoj Japoninë pasi kam fituar tri zgjedhje dhe shpresoj që ju zoti kryeministër të vizitoni vendin tonë së shpejti. Është lajm i shkëlqyer të dëgjosh që qeveria juaj angazhohet të emërojë një ambasador përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Është e një rëndësie thelbësore që Japonia të jetë më e pranishme në rajonin tonë”.
Duke u ndalur te roli i dy shteteve në Këshillin e Sigurimit në OKB në këtë periudhë krizash globale, Rama vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Japonisë.
”Vërtet jemi larg gjeografikisht. Jemi ndryshe, pasi Japonia është e madhe, ne të vegjël, Japonia është e pasur, ne nuk jemi kaq të pasur. Në një botë që është e përfshirë gjithmonë nga shqetësimet dhe krizat e papritura ajo që na bashkon më shumë janë vlerat. Dhe të jesh pjesë e kësaj familjeje vlerash është më e rëndësishme sot se dje, dhe mund të jetë më e rëndësishme nesër sesa sot”, shtoi ai.