VIDEO/ Rama në Vorë: Po merr formë përfundimtare lagjja e re me 405 apartamente
Kryeministri Edi Rama ishte këtë të martë në Vorë, ku inspektoi kantierin e ndërtimit të 405 apartamenteve me njësi shërbimi, shkolla të reja dhe hapësira të gjera publike.
“Në kantierin e madh të Rilindjes së Vorës, ku pas tërmetit shkatërrues dhe zgjidhjes së mundimshme të nyjeve të pafundme të pronës për hapjen e një sheshi të madh ndërtimi, po merr formën e vet përfundimtare një lagje e ndërtuar nga e para, me 405 apartamente, njësi shërbimi në të dyja anët e aksit të ri tregtar, shkolla të reja e hapësira të gjera publike”, u shpreh Rama.
Kryeministri shoqërohej në këtë inspektim nga kryebashkiaku i Vorës, Blerim Shera. Rama pa nga afër komplekset e pallateve të ndërtuara ku do të strehohen familjet që humbën shtëpitë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Më pas kryeministri inspektoi edhe bulevardin e ri në Vorë, i cili lidh kompleksin e pallateve me shkollën. Rama kërkoi që në këtë rrugë, e cila do të jetë automobilistike, të ketë gjelbërim, pasi krijon disiplinim në trafik. Rama vizitoi edhe shkollën 9-vjeçare, e cila ka 751 nxënës, të cilët filluan dje mësimin.