VIDEO/ Rama: Drejt Romës për ”Giro d’Italia”, do të na ndjekin 800 milionë shikues

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije përmes një videoje të postuar në Facebook, se po niset drejt Romës, kjo për prezantimin publik të “Giro d’Italia 2025”, eventit madhështor që do të mbahet këtë vit në Shqipëri. Duke e cilësuar një shtysë të veçantë për industrinë e turizmit, Rama nënvizon se peisazhet fantastike të vendit do të ekspozohen për qindra milionë teleshikues në të gjithë botën.

Rama thekson se Shqipëria do të shihet nga qytetarët e 200 vendeve ku do transmetohet gara dhe do shikohet nga të paktën 800 milionë shikues, pa llogaritur edhe mijëra tifozë që do të vizitojnë Shqipërinë për ta ndjekur eventin sportiv nga afër.

”Por nisja e madhe e Giro d’Italias në Shqipëri, është edhe një shtysë tjetër e veçantë për rritjen e mëtejshme të industrisë tonë të turizmit, që është industri e re, por që sapo e mbylli vitin e shkuar me thuajse 12 milionë turistë. Shqipëria po bëhet dita-ditës dhe ngjitja e saj drejt majës së 2030-ës në BE vazhdon përditë, e pandërprerë dhe e pandalshme”, shprehet kryeministri ndër të tjera. Përzgjedhjen e Shqipërisë si kandidaturë për të startuar garën me 3 etapa, Rama e cilëson edhe si një “pasqyrë kuptimplotë të rritjes ndërkombëtare të popullaritetit të vendit”.

SHKARKO APP