VIDEO/ Rama takim me studentët: Paga minimale do të shkojë 40 mijë lekë! Mbështetje ekselentëve
Në takimin me studentët përfitues të programit të bursave të studimit sa një pagë minimale e përmuajshme, kryeministri Edi Rama tha se kjo rritje do të aplikohet shumë shpejt për të gjithë. Po ashtu Rama ka bërë me dije se paga minimale do të shkojë në 40 mijë lekë brenda disa javësh.
”Nëse bëmë një përpjekje për të mbështetur 1 milionë shqiptarë nga pensionistët deri te grupet në nevojë, mbeti pa u adresuar pjesa e atyre që kontribuojnë në sektorin privat dhe besojmë që kjo rritje është e duhura dhe jo vetëm kaq, por besojmë po ashtu që duke kontribuar edhe ne, qeveria me një mekanizëm që jemi duke përfunduar, paga minimale do të rritet në vijim dhe duam që brenda 2 viteve të shkojë në 45 mijë lekë”, tha Rama.
Kjo mbështetje shkon për ata që kanë arritur rezultate maksimale në shkollë apo në olimpiada ndërkombëtare dhe ata që kanë zgjedhur një nga programet e shpallura prioritet kombëtar (që lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesi, shkenca natyrore, matematikë, statistikë, inxhinieri, bujqësi, veterinari, shërbime, etj.) Këta studentë, në momentin që futen në sistemin e financimit do u ndalohet marrja e diplomës për tre vite pasi duhet të shërbejnë në Shqipëri.