VIDEO/ Rama thirrje emigrantëve: Mos përtoni, por dërgojini zarfet në pikat përkatëse. Mos prisni DHL
Edi Rama ka reaguar pas takimit përmbyllës elektoral që zhvilloi në qytetin e Kavajës. Përmes një video të postuar në rrjetet sociale, kreu i PS-së vlerësoi atmosferën në qytet si jashtëzakonisht pozitive dhe përplot energji, ndërsa bëri edhe një apel të drejtpërdrejtë për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi lidhur me procesin e votimit për zgjedhjet e 11 majit.
Në video-mesazhin, Rama u ndal edhe te votimi i shqiptarëve në emigracion, me fokus të veçantë te procesi në Greqi. Ai tha se është vërejtur përmirësim në numrin e zarfeve të kthyer nga diaspora, por theksoi se angazhimi i qytetarëve është vendimtar për suksesin e këtij procesi.
”Mos prisni që t’ju vijë DHL t’ju marrë zarfat, por kthejini në pikën përkatëse. Është pak mundim, por ja vlen për atë që do të ndërtojmë së bashku”,-tha Rama, duke i ftuar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Në përmbyllje, ai theksoi rëndësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke shprehur bindjen se e ardhmja e përbashkët e shqiptarëve është në BE. ”Shqipëria është atdheu ynë, do të mbetet gjithmonë atdheu ynë, por vendi ynë do të jetë i gjithë Bashkimi Europian”.
KOHA JONË SONDAZH

