VIDEO/ Rrëfimi nga Ben Blushi: Pse më akuzuan për djegien e gazetës ”Koha Jonë”

Ben Blushi i ftuar në ”Dritare TV”, ndër të tjera foli edhe për djegien e gazetës ”Koha Jonë”, asokohe kur ai punonte si kryeredaktor në vitet 1997. Në një bisedë me gazetarin Roland Qafoku në emisionin Dekalog, Blushi rrëfeu po ashtu edhe një ndër arsyet se pse ai është akuzuar për djegien e gazetës në atë kohë të vështirë për vendin.

“Djegia e Koha Jonë pati shumë efekte. Gazeta kurrë nuk u bë më aq e madhe se sa ishte për fat të keq. Djegia asokohe është e ngjashme, me djegien e 2 ose 3 televizioneve kryesore sot. Kaq i fortë ishte impakti i gazetës. Djegia e gazetës në 1997 e ndryshoi tregun e medias në Shqipëri. Filluan të hapeshin edhe televizione private të cilët nuk ekzistonin më herët. Atë natë ku u dogj gazeta isha në shtëpi, kemi ikur vonë rreth orës 23:00. Rreth orës 04:00 të mëngjesit, më kanë marrë në telefon. Ka qenë një i huaj dhe më tha: Gazeta po digjet.

Një mik nga ambasada amerikane më njoftoi për djegien e gazetës. Ambasada Amerikane e ka marrë vesh nga disa banorë të zonës që jetonin afër selisë ku ndodhej gazeta asokohe. Në zonë kemi shkuar rreth orës 06:00 të mëngjesit dhe gjetëm gjithçka të djegur. Aty mësuam edhe për gazetarin Zamir Dule që ishte rrëmbyer, që flinte në zyrën e gazetës. Ishte një gazetar që kishte burime, shumë i mirë për kronikën e zezë.

Ishte moment i dhimbshëm të shihje gazetën e shkrumbuar. Na humbi një vend që e donim shumë, nuk e rikthyem dot kurrë ashtu siç ishte. Disa muaj më vonë unë u largova nga kjo gazetë. Shumë shprehshin se e kisha djegur unë atë gazetë. Ka shumë goja të liga që thonë e dogji Blushi. Por në fakt njeriu që e dogji, ka mbajtur një fjalim kundër meje në Parlament. Unë asokohe isha vetëm një djalë 27 vjeç dhe arsyeja e vetme pse ika nga gazeta, ishte sepse doja të ndërtoja diçka time”, tha Blushi.

Ben Blushi, një rrëfim në 360 gradë! | Dekalog nga Roland Qafoku

 

SHKARKO APP