VIDEO/ Sezoni turistik, Rama thirrje shqiptarëve që punojnë në Greqi që të vijnë në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e promovimit të kalendarit turistik veror, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që punojnë në shërbime në vendet fqinje që të vijnë dhe të punojnë në Shqipëri.
“Sot janë të gjitha arsyet për t’u ndier optimistë, për t’u ndierë të inkurajuar, për t’u ndierë të bindur që kjo Shqipëri, që tek turizmi ka kartëvizitën e saj kuptimplotë.
Kjo Shqipëri ku falë turizmit dhe po ashtu edhe si rezultat i rritjes së ekonomisë dhe për këtë arsye i theksit që qeveria ka vënë tek rritja e pagave, po bëhet një vend ku për të gjithë ata që janë në shërbime, në vendet fqinje është më mirë të jenë këtu sesa të jenë atje.
Ata që punojnë në Greqi, në hotele, në restorante, në kafene, kamerierë, menaxherë dhe çfarëdo shërbimi tjetër bëjnë atje, nëse i bien lapsit krahasuar me ofertën që kanë këtu, në sektorin e shërbimeve dhe nëse nuk dëgjojnë mediet.
Nuk lexojnë portalet, nuk marrin për të mirëqena të gjitha ato llafet e kafeneve, por i referohen lapsit e kanë këtu vendin nuk e kanë atje, ku llogaria në fund të muajit iu del më mirë, pa as më të voglin diskutim”, theksoi Rama.