VIDEO/ Siguria në Shkolla, ministri Balla në Kavajë: Bashkëpunim me të gjitha autoritetet dhe bashkinë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe kryetari i bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja ishin këtë të mërkurë në gjimnazin e qytetit ”Aleksandër Moisiu” për të parë nga afër zbatimin e masave të Paketës së Sigurisë në Shkolla. Ministri ritheksoi domosdoshmërinë e krijimit të një koalicioni të gjerë, me shumë aktorë e institucione për të garantuar më shumë siguri për nxënësit e fëmijët.

”Bashkë me Fisnikun, kryetarin e bashkisë, jemi sot në shkollën me më shumë emër dhe traditë në të gjithë bashkinë e Kavajës për shkak edhe të numrit të lartë të intelektualëve, personaliteteve që kjo shkollë ka nxjerrë, jo vetëm për Kavajën, por për gjithë Shqipërinë në fakt”,-tha Balla.

”Nuk kam asnjë dyshim që brenda oborrit të shkollës dhe brenda shkollës nuk ka pasur dhe nuk ka për të pasur problematika. Shqetësimi im është pjesa përtej gardhit, rruga e nxënësve nga shtëpia në shkollë dhe tani që ikin nga shkolla me të mbaruar mësimi dhe që lidhet me një fenomen që nuk ekziston vetëm në Shqipëri, por ekziston në të gjithë botën, por që është kthyer sot në një kërcënim për fëmijët e që lidhet me përdorimin e lëndëve narkotike”, tha Balla. Po ashtu ministri Balla tha se do të bëjmë gjithçka më mirë dhe do ta ngremë nivelin e sigurisë dhe zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla edhe në Kavajë.

”Këto djem e vajza të shkëlqyer të Kavajës do të bëhen pjesë e këtij koalicioni kundër përdorimit të lëndëve narkotike dhe natyrshëm ne na takon që besimin dhe besën që na kanë dhënë prindërit e tyre, ndërsa i sjellin në shkollë, ne t’i qëndrojmë fjalës dhe besës së dhënë për të mos lejuar asnjë keqbërës që afrohet pranë shkollës për të shitur lëndët narkotike dhe për të bërë biznes me jetën e fëmijëve tanë. Secili nga ne është prind dhe e di se sa shumë e rëndësishme dhe se sa më të qetë do të jenë prindërit ditën që ne të garantojmë këtë perimetër sigurie”.

SHKARKO APP