VIDEO/ Zv/kryeministrja Balluku: Së shpejti nis ndërtimi i stacioneve të hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës

Në kantierin për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës, janë drejt përmbylljes punimet infrastrukturore. Tashmë ka mbërritur edhe makineria moderne, Tamping, përmes së cilës bëhet e mundur paketimit, shtypja e çakëllit përmes të cilave rritet qëndrueshmëria e binarëve. Po përmes kësaj makinerie bëhet e mundur korrigjimi i shtrirjes së shinave, për ti bërë ato paralele dhe në nivel, për një udhëtim sa më komod. Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në zonën e Shkozetit, ku kalon ky projekt, ku u njoh nga afër me punimet dhe ecurinë e tyre. Drejtori i Hekurudhës, Ergys Verdho sqaroi deri më tani janë realizuar afro 80% e punimeve ndërtimore civile, ndër puna po vijon.

“E rëndësishme është që në muajin nëntor nis puna për ndërtimin e stacioneve. Dhe aty do përqendrohen forcat në pjesën e kabinave të sinjalistikës dhe të telekomunikacionit për shkak e ky komponent ndërthuret me trasenë dhe komponentin e parë të ndërtimit të linjës me futjen e të gjithë sinjalistikës dhe telekomunikacionit në këto ndërtesa. Etapa tjetër është elektrifikimi”, tha Verdho.

Duke vlerësuar projektin, Balluku tha se është avancuar edhe me detajet e tjera që plotësojnë këtë vepër, siç është ngritja e stacioneve, ku në këtë linjë do të jenë 10 të tillë. “Kemi avancuar me një sërë komponentësh të projektit, sepse projekti i Tiranë-Rinas-Durrës ka disa komponentë. Nuk është thjesht traseja me të cilën po ecim me një shpejtësi të mirë, të qëndrueshme dhe të konsiderueshme. Rreth 80% e proceseve janë të bëra. Nga ana tjetër, jemi edhe duke avancuar me komponentët e tjerë siç është pjesa e stacioneve. Është mbyllur gara ndërkombëtare për stacionet, kemi tashmë një fitues. Hekurudha Shqiptare është në momentin kur po lidhet kontrata, po negociohet lidhja e kontratës dhe më pas nis menjëherë nga puna për ndërtimin e këtyre 10 stacioneve të cilat janë parashikuar në projektin origjinal të gjithë hekurudhës”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal më tej edhe tek projektet e tjera hekurudhore për të cilët do të nisë puna duke rijetësuar kështu një prej sektorëve të rëndësishëm të transportit. “Në dhjetor kemi garën ndërkombëtare për elektrifikimin e hekurudhës dhe në ndërkohë kemi dhe komponentin e fundit i cili ka të bëjë me operimin e hekurudhave që është një komponent shumë i rëndësishëm, një komponent që po shkon me një studim të detajuar gjithashtu ndërkombëtar me mbështetjen e partnerëve tanë dhe që nga ana tjetër duke dizenjuar këtë komponent atëherë do të kemi një manual të qartë operimi për të gjithë hekurudhat e tjera për të cilat ne kemi aplikuar apo kemi fituar, siç është rasti i Vorë-Hani i Hotit që është projekti që do të fillojë menjëherë, domethënë tani duke pasur parasysh që i kemi mbyllur të gjitha proceset për atë hekurudhë dhe ndërkohë ne po presim miratimin për të gjitha pjesët e tjera që kemi aplikuar pranë WBIF, siç është Durrës-Rrogozhina apo më pas Rrogozhinë-Pogradeci, pra Korridori i VIII, që për ne është një nga segmentet më të rëndësishme pasi lidhet dhe me portin e ri të Durrësit”, nënvizoi Balluku.

SHKARKO APP