Videot me plazhet bosh, kryebashkiaku i Vlorës: Jo anti-reklamë me atë që ne e kemi krenari. Lajme me tendencë
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha thotë se nuk mund të bëhet reklamë kundër asaj që ne e kemi krenari, turizmin. Ai i cilësoi videot e fundit në rrjete sociale që tregojnë plazhet bosh dhe çmimet e larta, si lajme të shpërndara me tendencë dhe të rrezikshme. Për të kjo është një luftë e ekonomike që e ka “burimin” diku gjetkë, por megjithatë ai theksoi se qeveria është këtu për të promovuar Shqipërinë.
”Në fakt është një konstatim që më pas përkthehet në shqetësim, kemi parë që ka një vëmendje të shtuar, më shumë është një mesazh i gabuar që përcillet jo vetëm prej rrjeteve sociale. Nuk e di se ku e kanë burimin, por patjetër që nuk është gjë e mirë. Nuk mund të bëhet asnjëherë dhe kurrsesi reklamë kundër asaj që ne në fakt e kemi krenari, që është turizmi, jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë hartën e Shqipërisë.
Pra duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Shqipëria është në zhvillim dhe po kthehet në një simbol shumë të rëndësishëm të turizmit në raport me atë çfarë na rrethon, me rajonin tonë dhe më gjerë.
Ne po bëjmë një punë shumë të mirë sa i përket kësaj gjëje, promovimi po bën punën e vet dhe nuk diskutohet që vëmendje do të jetë më e shtuar. Por që të ketë zëra kundër apo të jenë tendencioze për të shkatërruar gjithë procesin në fakt, sepse në ndjehemi krenarë që po krijohet. Duket tendencioze, duket e rrezikshme dhe nuk ka asnjë benefit, aq më tepër kur bashkohen site apo faqe të ndryshme në rrjete sociale që janë brenda vendit, më duket paksa absurde”,-tha Dredha për ”TV Klan”.