Vizita e Ramës në SHBA, Mediu: S’janë takime personale. SHBA nuk mbështesin individë
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, njëherësh kreu i PR-së fill pas vizitës disaditore në SHBA ka folur në studion e Abc News për takimet që ka patur atje dhe qasjen e SHBA-ve ndaj Shqipërisë dhe rajonit.
Fillimisht Mediu u pyet nga gazetari Endri Xhafo për rrjetin 5G kinez që SHBA e konsideron si një rrezik për sigurinë e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s dhe cënim të të drejtave të njeriut.
“Në forumin për “5G të sigurt”, të organizuar bashkë me Senatorin Jim Inhofe, pati pjesëmarrje të gjere, mes të cilëve edhe Gjenerali James Jones, Ish Komandanti i NATO-s. Diskutimi u perqendrimi rreth Kinës e cila duhet pranuar se ka investuar për rrjetin 5 G dhe është revolucion nga ana ekonomike, por nga ana tjetër ka pasiguri. Teknologjia kineze është më e lirë, por kontestimi ka të bëjë me faktin se 5G kontrollohet nga shteti kinez, që bie ndesh me interesat e SHBA dhe NATO-s. Kjo ka të bëjë me elemente të sigurisë, ndërveprimin e shteteve me një kundështar të NATO-s. Kina shihet si një sfidë për vendet e NATO-s. Së shpejti do të ketë një memorandum mes SHBA dhe Shqipërisë pikërisht për rrjetin 5G. Gjatë vizitës në SHBA takova edhe drejtues të Samsung, kompani e cila ka mundësi të sigurojë 5G të sigurt dhe me kosto të pranueshme”, tha Mediu.
I pyetur për takimin me djalin e Presidentin e SHBA, Donald Trump, kreu i PR-së Fatmir Mediu tha se “e kam takuar edhe 2-3 herë të tjera”, pa pranuar të japë detaje për rrethanat e njohjes me të. Sakaq, gazetari Xhafo e quajti Mediun si një politikan që ka njohje por edhe infuencë në senatin dhe kongresin amerikan. Ai e pranoi duke shpjeguar se nuk bëhet fjalë për influencë por për njohje të vjetra që kanë ardhur duke u forcuar përgjatë 30 viteve. “Unë kam marrëdhënie të mira dhe të qendrueshme me politikanët në SHBA, njohje që i kanë shërbyer të dyja palëve sepse SHBA-të janë gjithnjë të interesuara për Shqipërinë dhe gjithë rajonin. Kur anëtarë të Kongresit apo Senatit kanë ardhur në Shqipëri u kam mundësuar takime të ndryshme me politikanë të të gjitha kaheve”.
I pyetur nëse SHBA e mbështet qeverinë dhe Kryeministrin Rama, Mediu u shpreh “ata mbështesin çdo lloj veprimi dhe çdo reformë që bëhet në raport me Kushtetutën. Ata nuk mbështesin individin por se çfarë ai përfaqëson. Në rastin konkret Pompeo e ka pritur Ramën si Kryeministër, por edhe si Kryesues i radhës i OSBE-së. Si Rama ka qenë edhe Meta për darkë me Pompeon. Nuk mund të kënaqemi nga ky lloj takimi. Marrëdhëniet me Ramën janë institucionale. SHBA nuk mbështet një person të caktuar. Mund të mbështesin zgjidhjen më të mirë që një politikan jep për çështje të caktuara”, tha Mediu.