Vizita në Maqedoninë e Veriut/ Presidenti Meta pritet nga kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi
Presidenti Ilir Meta u prit këtë të martë në një takim nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Meta i shprehu kryeparlamentarit Xhaferi vlerësimin për ushtrimin me sukses dhe përgjegjshmëri të këtij funksioni të lartë dhe shumë të rëndësishëm, si dhe për rolin e tij në drejtim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike dhe bashkëjetesës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Presidenti Meta theksoi se çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe liberalizimi i vizave për Kosovën, do të sillte kontribute konkrete dhe tepër pozitive për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, si dhe për prosperitetin e qytetarëve tanë.
”Respektimi i të gjitha lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, sipas standardeve më të avancuara europiane, është thelbësor ndaj e nxis një pjesëmarrje më të madhe dhe më cilësore të tyre, si faktor shtetformues, në jetën sociale, administrative e politike të Maqedonisë së Veriut”.