Vizita në Suedi, kryeparlamentarja Nikolla pritet nga homologu Norlén. Në fokus dhe rezoluta “Dick Marty”

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetarja e zëvendëskryetarja e Komisionit të Ligjeve, deputetet Klotilda Bushka dhe Dhurata Çupi, në vijim të vizitës zyrtare në Suedi u pritën sot nga kryetari i parlamentit të Suedisë, Andreas Norlén.

”Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve po nxiten edhe nga intensifikimi i bashkëpunimit parlamentar. Ne mund ta avancojmë këtë bashkëpunim për shkëmbimin e përvojave dhe ndihmën gjatë procesit të negociatave me BE, duke nxitur gjithashtu bashkëpunimin mes grupeve të miqësisë, komisioneve, deputetëve dhe shërbimeve parlamentare”,-tha Nikolla.

Po ashtu Nikolla shprehu përgëzimet për përmbushjen me sukses të Presidencës suedeze të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe vlerësoi lart mbështetjen e palëkundur, të vendosur dhe solide të Suedisë ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kryetarja i shprehu homologut suedez mbështetjen e fortë të Shqipërisë për anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe nënvizoi se, kjo forcon aleancën dhe e bën Evropën më të sigurt.

Gjatë takimit u diskutua për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe në fusha të tjera me interes të dyanshëm mes dy vendeve, si infrastruktura, transporti detar, tekstilet, bujqësia etj. Reformat e ndërmarra nga parlamenti dhe qeveria e Shqipërisë, veçanërisht ato në fushën e drejtësisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë për krijimin e një klime të favorshme investimesh.

Në fokus të bisedimeve ishin edhe mbështetja e Suedisë ndaj Mocionit të Shqipërisë për një Rezolutë të re të AP të KiE mbi të ashtuquajturën Rezoluta Dick Marty e vitit 2011 dhe kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KiE, mbështetje për të cilën Nikolla i shprehu mirënjohjen kolegut Norlén.

Kryeparlamentarët Nikolla dhe Norlén biseduan edhe mbi vijimin e mbështetjes së dy vendeve për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe paqes e sigurisë në Evropë e më gjerë. Kryetarja Nikolla e ftoi kryetarin e parlamentit të Suedisë, Andreas Norlén, për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila do të realizohet në një kohë të afërt. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Suedi, Virgjil Kule.

SHKARKO APP