Vlahutin: Asgjë nuk mund ta dëmtojë më shumë Shqipërinë se vetë shqiptarët
Romana Vlahutin, ambasadore e Bashkimit Evropian në Shqipëri në detyrë prej 3 tetorit 2014, ka zgjedhur të jetë e kujdesshmenë daljen e saj të parë televizive për median shqiptare. Vjen nga Kroacia, e ka shumë për të ndarë me ne.
Në të parën intervistë, Vlahutin tregon për emisionin “Tonight Ilva Tare” eksperiencat e saj në Shqipëri, qasjen e Delegacionit të BEsë ndaj procesit të integrimit.
Zgjedhjet e 21 qershorit, reformat në drejtësi, ndëshkueshmëria e korrupsionit, janë kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë për hapjen e negociatave. Për opozitën
“Puna duhet të vazhdojë dhe opozita duhet të bashkohet. Kjo është një çështje shumë e madhe, shumë e rëndësishme. Kultura e dialogut është diçka themelore. Asgjë nuk mund ta dëmtojë më shumë Shqipërinë se vetë shqiptarët. Ka pasur disa gjëra që kanë qene me rëndësi kombëtare kyçe dhe ajo çka është me rëndësi kombëtare kyçe është absolutisht e detyrueshme që të gjithë të jenë rreth së njëjtës tryeze”.
Për zgjedhjet e 21 qershorit
“Zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë gjithnjë problem, standardet nuk kanë qenë optimale siç dëshiron t’i shohë BEja dhe siç i meritojnë qytetarët shqiptarë. Këto zgjedhje personalisht i shoh si mundësi e madhe qe partitë ta marrin seriozisht futjen e njerëzve më të mirë në lista. I bëjmë thirrje udhëheqësve partiakë të fusin njerëzit më të mirë, njerëz pa të kaluar kriminale, pa lidhje me veprimtari kriminale”.
Për dekriminalizimin
“Ne po flasim për çlirimin e shërbimit publik, përfshirë parlamentin, nga njerëzit me të kaluar kriminale apo të angazhuar në çfarëdolloj veprimtarie kriminale apo që mundohen të marrin përfitime nga këto veprimtari. Shqipëria është në një moment historik shumë të rëndësishëm dhe nuk do ketë shumë momente të tilla në të ardhmen, është një pikë kthese që do të bëhet një gjendje që do të mundësojë bashkimin me BE-në, me familjen e demokracisë evropiane”.
Për dosjen “Doshi”
Kjo është një çështje shqiptare dhe ne shpresojmë që institucionet e shtetit shqiptar të jenë të afta dhe të kenë kapacitetin për ta trajtuar. Shtet ligjor do të thotë që duhet të ndodhë procesi i duhur dhe duhet t’i lëmë institucionet të mbarojnë punën e tyre. Duhet të nisë diku, duhet të nisë me një rast, do të nisë me një rast, por qartësia do të vijë me rezultatet. Për Prokurorinë “Për mua institucioni kritik është prokuroria. Kur gjërat i referohen prokurorisë, këtu fillon procesi i kontrollit dhe është i vetmi vend ku gjërat mund të sqarohen,nëse disa gjëra janë kriminale apo jo”.
Për arrestimin e ish-kryeministrit krorat, Ivo Sanader
“Në atë çast unë vetë e kuptova se do të bëheshim anëtarë të BE-së, sepse si vend u bëmë vërtet të aftë të zbatonim vërtet shtetin ligjor në nivelin e lartë”. Këshilla e Eduard Kukan “Ishte një këshillë atërore, sepse unë isha shumë entuziaste për atë çka duhej të bënim për ta ndryshuar paksa kulturën politike në vend, të hapej dialogu, konsensusi, përfshirja, të kuptuarit e njëritjetrit. Ai më tha se duhet të të them se do të jetë më e vështirë nga sa e mendon”.
Fondet e BE-së
“Janë 650 milionë euro vetëm për Shqipërinë, plus 200 milionë euro për projekte rajonale. Janë shumë para”.
Për Pallatin e Drejtësisë
“Në këtë çast kemi konkluduar se ka çështje më të ngutshme që duhen trajtuar, siç ju thashë, dhe mendoj kryesisht për përmbytjet. Duam të veprojmë në mënyrë parandaluese dhe të përdorim fondet e disponueshme për të ndihmuar njerëzit”.
Për kryeministrin Edi Rama
“Kemi biseda të hapura dhe siç ju thashë, unë jam e bekuar me eksperiencën time personale me diskutime të ngjashme. Të gjitha takimet e mia janë të shpejta, sepse dua të zgjidh çështje praktike që janë në ring dhe rezultatet e drejtpërdrejta që na duhen”.
Për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha
“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me zotin Basha, shkëmbejmë sms dhe biseda telefonike, ndonjëherë e thërras Luli, nuk e merr për keq”.