Vlerësohen nismat për banorët, Presidenti Begaj shpallet ”Qytetar Nderi” nga Bashkia e Vaut të Dejës

Presidenti Bajram Begaj është shpallur “Qytetar Nderi” i Vaut të Dejës. Titulli iu dorëzua sot gjatë një ceremonie të organizuar në Bashki me pjesëmarrjen e kryebashkiakut Kristian Shkreli, të anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe të përfaqësuesve të forcave politike. Kreu i shtetit u vlerësua për kontributin e dhënë ndaj banorëve të Vaut të Dejës.

“Intelektual i shquar, bartës i vlerave intelektuale e qytetare, shtetar i ekuilibruar, korrekt e i paanshëm! Për vëmendjen, dashamirësinë e miqësinë e treguar për Vaun e Dejës e banorët e tij”, shkruhet në motivacionin e titullit ”Qytetar Nderi” për Presidentin Begaj.

Presidenti i Republikës shprehu falenderime për këtë vlerësim. “Është detyrë për secilin nga ne të vijojmë përpjekjet për të mirën tonë të përbashkët, të familjes, komunitetit dhe të gjithë shqiptarëve”. Presidenti ka ndërmarrë disa nisma në ndihmë të shëndetit dhe mirëqeniës së banorëve të Vaut të Dejës siç është edhe projekti pilot i mamografisë lëvizësë në zonat thella.

SHKARKO APP