Vlerëson raportin e KSHH, Basha: Rama-Meta, skenar mafioz për zgjedhjet
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka pritur mirë raportin e publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në Kongresin amerikan, për situatën elektorale në Shqipëri.
Basha theksoi se raporti i prezantuar vë në dukje problemet aktuale të periudhës elektorale në vend, të denoncuara disa herë nga opozita.
“Përshëndes deklaratën e KSHH në Kongresin amerikan për Shqipërinë, ku thuhet se qytetarëve shqiptarë u duhet bërë e mundur se po marrin pjesë në një proces të pastër, pa kërcënime e manipulime. Fatkeqësisht këto probleme janë aktuale në Shqipëri, citoj këtu deklaratën, dhe do të raportohen”, deklaroi Basha.
Sipas tij, kjo deklaratë ngre shqetësimet që PD ka bërë prezent gjatë gjithë fushatës, përfshirë atë të përdorimit “me urdhër të kryeministrit” të administratës publike.
“Përdorimi i administratës është provuar në dhjetëra raste, me urdhrat që kanë marrë për të paraqitur listat e votuesve, të cilët ndryshe rrezikojnë vendin e punës. Faktohet me praninë masive në takimet elektorale dhe me mungesën në postet në institucione. Kjo provohet edhe në dhjetëra takime për shpërndarjen e çertifikatave të shpronësisë”, theksoi më tej Basha.
E vërtetuar është, sipas tij, edhe përfshirja e policisë përkrah kandidatëve të partive në pushtet, drejtuesit e të cilës neglizhojnë aktet e dhunës të ushtruara ndaj kandidatëve të opozitës dhe stafeve të saj. “I tillë është rasti i Sukthit. Ndërkohë, sot, teksa Rama dhe Meta mbanin konferencën e tyre, në të njëjtin moment bandat në Vorë kërcënuan shtabin tonë, duke u thënë të largoheshin nga shtabi i tyre, ndryshe do të hapnin zjarr. Kjo bandë ka 72 orë që është e pranishme në qendër të Vorës, bashkë me forcat operacionale të policisë, që ndonëse vëzhgojnë këta individë, nuk ndërhyjnë. Policia vijon të keqpërdoret masivisht, sepse Rama ka vendosur në këto zgjedhje persona me preçedentë penalë, si për shembull shefi i policisë së Klosit. Ndërsa Ilir Meta ka urdhëruar FNSH-në që të ndërhyjë në Shkodër e Bulqizë, pasi nuk i kanë mjaftuar bandat atje. Edhe dje në Elbasan, një kriminel i njohur është sjellë nga nga britania nga oktapodi Qazim Sejdini dhe ka terrorizuar një lagje të tërë romësh”, ka thënë Basha.
Kryetari i PD-së ka hedhur akuza edhe ndaj kandidatit të majtë për Tiranën, Erion Veliaj, i cili sipas tij nuk justifikon dot miliona eurot që po shpenzon në fushatën e tij dhe i shmanget transparencës. Ndërsa në fund, Basha i ka drejtuar këtë apel votuesve shqiptarë:
“Më 21 qershor do të rrëzojmë murin e tranzicionit, oligarkisë, ujqërve që ndërruan qimen por jo zakonin dhe do të mbrojmë pushtetin vendor. Ndaj ju ftoj të votoni për kandidatët e PD, që do të bëhen ura juaj mbrojtëse”.
Mbi pretendimet se kandidatë të opozitës janë kërcënuar me mesazhe nëpër celularë nga kryeministri, Basha i është përgjigjur medieve, “I keni të arkivuara këto kërcënime. Ndërkombëtarët i kanë të dokumentuara, ndaj Rama dhe Meta nuk do të kenë mundësi të zbatojnë planet e tyre”.