VOA: Kërcënimet globale në qendër të takimit të nivelit të lartë të G7

Nga: Zëri i Amerikës

Presidenti amerikan Joe Biden shkoi në takimin e nivelit të lartë të shtatë demokracive më të zhvilluara dhe liberale, në një periudhë të vështirë, kur lufta në Ukrainë nuk po tregon shenja se po shkon drejt fundit, ndërsa Kina vazhdon të ketë ambicie për shtrirjen e ndikimit në të gjithë botën. Shtëpia e Bardhë thotë se është e përkushtuar t’u kundërvihet këtyre çështjeve, me mjete siç është paketa infrastrukturore prej 600 miliardë dollarësh, që shihet si kundërpërgjigje ndaj nismës infrastrukturore të Kinës “Një brez, një rrugë”, siç njofton nga Austria korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Anita Powell.

Demokracitë liberale dhe më të pasurat në botë kanë shumë çështje për të trajtuar, ndërsa takohen në Gjermani për takimin e nivelit të lartë të G-7. Sfida më e afërt është më pak se 1 mijë e 500 kilometra larg vendit ku u zhillua takimi, ku gjatë gjithë fundjavës Kievi u përballë me sulme të reja. Kancelari gjerman Olaf Scholz, tha se siguria e Ukrainës është përparësia kryesore.

“Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara do të veprojnë gjithmonë së bashku, kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë së Ukrianës dhe ne e bëmë të qartë këtë edhe një herë”, tha ai.

Grupi tha dje se do të vazhdojë të ndëshkojë agresionin e Rusisë në Ukrainë, duke shtuar sanksionet ndaj naftës ruse, mallrave, bankave dhe zyrtarëve e biznesmenëve të njohur rusë. Por, krahas kësaj çështjeje, udhëheqësit janë gjithashtu të shqetësuar për sfidat e shkaktuara nga Kina.

Të dielën, ata njoftuan një nismë infrastrukturore prej 600 miliardë dollarësh, e shpalosur për herë të parë në takimin e kaluar të G-7, që synon t’u japë vendeve në zhvillim një alternativë për nismën infrastrukturore kineze “Një brez, një rrugë”.

“Dua të jem i qartë. Kjo nuk është ndihmë apo bamirësi. Është një investim, që do të sjellë fitime për të gjithë, duke përfshirë popullin amerikan dhe njerëzit e të gjitha vendeve tona. Do të ndihmojë ekonomitë tona dhe është një shans për ne, që të ndajmë vizionin tonë pozitiv për të ardhmen, duke u dhënë mundësi komuniteteve në mbarë botën të shohin vetë përfitimet konkrete të partneritetit me demokracitë”, tha zoti Biden.

Analistët thonë se grupi i shtatëshes përballet me një konkurrencë të ashpër nga nisma kineze “Një brez, një rrugë”.

“Jo vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, por edhe Japonia dhe Australia janë shumë të shqetësuara për këtë. Të gjithë po mundohen të ofrojnë alternativa për vendet huamarrëse, në mënyrë që këto vende të mos kenë nevojë të kërkojnë ndihmë nga Kina për marrjen e kredive. Çështja është se këto nisma janë të ngadalta, shumë burokratike, nuk kanë aq shumë para në bankë dhe nuk mund të konkurrojnë me paratë e shpejta që ofrohen nga nisma kineze. Dhe duke ofruar këto fonde, Kina po fiton respektin duke i bërë këto vende të varura prej saj”, thotë analisti Robert Daly nga qendra Wilson.

Grupi i shtatëshes ftoi në disa nga takimet e zhvilluara në Alplet bavareze edhe udhëheqësit e Afrikës së Jugut dhe Indisë. Përfaqësuesit e këtyre vendeve, së fundmi morën pjesë në takimin virtual të grupit BRICS, bllokut ku bëjnë pjesë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, gjatë të cilit Presidenti kinez Xi Jinping kritikoi përpjekjet e demokracive perëndimore për ta izoluar ekonominë ruse.

“Nëse politizon, shfrytëzon ekonominë botërore si mjet dhe armë dhe vendos sanksione, duke përfituar nga statusi dominues në sistemet financiare dhe monetare ndërkombëtare, përfundon duke dëmtuar interesat tuaja dhe ato të të tjerëve dhe shkakton vuajtje tek njerëzit rreth botës”, tha ai. Grupi përballet edhe me sfida që ndikojnë të gjithë botën, siç janë ndryshimet klimatike, pandemia dhe problemet ekonomisë globale. Takimi i G7-ës vazhdon dhe sot.

SHKARKO APP