VOA/SPAK: Rasti Veliaj, të dhëna për “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”
-Zëri i Amerikës-
Në Tiranë SPAK-u bëri të ditur të premten se në lidhje me hetimet që kanë përfshirë kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe familjarë të tij, ka të dhëna konkrete jo vetëm për “korrupsion pasiv”, por edhe me vepra të tjera penale si “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”.
SPAK ia atribuon këto gjetje hetimeve paraprake dhe provave të mbledhura deri në këtë fazë, lidhur me procedimin penal të regjistruar në muajin shkurt.
Nga hetimet e deritanishme, sipas prokurorisë, “konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete që anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë”.
Gjatë hetimeve, po sipas prokurorisë, “janë evidentuar veprime konkrete të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fiktive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të Kryetarit të Bashkisë”.
Prokuroria e Posaçme shtoi se ky procedim u bazua në informacionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila verifikoi të dhënat dhe administroi provat dokumentare, pas kallëzimit të një shtetasi (i vetidentifikuar si N.A).
Në kuadër të këtij procedimi, kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ishte të enjten për më shumë se pesë orë në SPAK. Ai nuk komentoi për gazetarët pasi doli nga Prkuroria e Posaçme.
Zoti Veliaj tha para Këshillit Bashkiak se në SPAK ai ishte denoncuar nga një qytetar i quajtur Nesti Angoni, i cili siç u shpreh ai, “nuk ekziston”, megjithatë shtoi se ka qenë bashkëpunues me drejtësinë, ndërsa e cilësoi denoncimin si një kurth të sajuar anonim, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Disa ditë më parë në SPAK ishte për afro tre orë edhe bashkëshortja e zotit Veliaj, Ajola Xoxa, në zyrat e kompanive të së cilës u bënë kontrolle nga agjentët e BKH-së, me vendim të Gjykatës së Posaçme, në fillim të dhjetorit dhe iu sekuestrua telefoni celular. Kontrolle u kryen edhe në banesat e vëllait të zotit Veliaj, të cilit iu sekuestrua telefoni celular. Gjykata e Apellit rrëzoi ankimimin e tyre kundër këtyre kontrolleve.
Ndaj zotit Veliaj nuk ka një akuzë, ndërsa vijojnë hetimet paraprake mbi procedimin penal, të nisur në shkurt për “korrupsion pasiv”, të cilit u janë shtuar tashmë edhe dyshimet e provat për korrupsion aktiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie./VOA/