Voda: Online akti i ekspertimit të banesave, 5500 persona të strehuar në hotele
Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, ka bërë të ditur se shumë shpejt akt-konstatimet për vlerësimet e dëmeve nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit do të publikohen online. Ajo tha se po punohet me qëllim që të gjithë qytetarët me një klik të marrin në duar një kopje. ”Shumë shpejt do të publikohet një link, një faqe online në internet, ku çdo qytetar mjafton të klikojë dhe të vendosë adresën e tij apo foto të pallatit të tij, apo të japë lokacionin me “Google Map” se ku ndodhet apartamenti dhe menjëherë do të marrë akt-konstatimin. Ne po punojmë për të pasur një transparencë sa më të madhe me qytetarët”. Akomodimi ishte sfida tjetër. ”Për shkak të shkatërrimit të banesave të shumtë ishin qytetarët e mbetur pa strehë. Sigurisht një zgjidhje emergjente ishte strehimi i banorëve të hotele, në qendrat sociale apo në palestra. Tashmë ka nisur dhe realizimi i një zgjidhje të afatmesëm, duke pajisur këto qytetarë me bonus qiraje deri në fund të vitit 2020, deri sa rindërtimi i banesave të dëmtuara në kuadër të programit të rindërtimit të realizohet”.
Sipas saj, të gjitha zyrat e pritjes në Bashkinë Durrës janë në pritje të qytetarëve, të cilëve u mjafton të bëjnë një kërkesë për t’u njohur me aktin e konstatimit dhe një fotokopje e aktit i është vendosur në dispozicion. ”Qytetarët duhet të drejtohen dhe duhet të kenë dijen për këtë, se për çdo paqartësi që kanë te njësia administrative. Ky, i inspektimit, ka qenë një proces i udhëhequr nga kryetarët e njësive administrative, të cilët kanë shoqëruar inxhinierët në terren dhe ato e dinë se ku janë grupet e inxhinierëve dhe ku këto inxhinierë kanë bërë verifikimet. Shumë qytetarë e kërkojnë aktin e konstatimit për të aplikuar për bonus qiraje. Kemi hequr kriterin e kontratës së qirasë, pra mjafton vetëm akti konstatimit që banesa është e pajetueshme për të aplikuar”.
Duke folur për strehimin në struktura hoteliere, Voda tha se janë mbi 5500 persona në tre qarqe të strehuar në hotele. ”Peshën më të madhe në numër e ka pas qarku i Durrësit me gati 4000 persona. Numër që vjen në përputhje edhe me numrin e kërkesave për bonus qiraje, që është 3800 persona”. Rritja e çmimit të qirasë është një lëvizje që pritej. ”Kjo lëvizje edhe pritej, sepse sipërmarrja është sipërmarrje dhe privati është privat dhe gjakftohtë, pavarësisht situatës. Ne s’mund të ndërhymë në mekanizmat e tregut, por ajo që ka përballuar me sukses qeveria është fakti se ka garantuar një standard minimum të jetesës”.
Lidhur me procesin e rindërtimit, ajo tha se konferenca e donatorëve në Janar do ta gjejë vendin me një panoramë të qartë të kostove. ”Është folur shumë për procesin e rindërtimit. Kemi dhe një Ministër Shteti për Rindërtimin. Kemi një lloj strategjia të qartë se ku do shkojmë me këtë proces. Deri në fund të dhjetorit jemi në fazën paraprake të vlerësimit total të kostove të dëmeve nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit dhe në janar kemi konferencën e donatorëve. Për të bërë një ekspoze të qartë para donatorëve, po ndiqet metodologjia e kombeve të bashkuara për të bërë një përllogaritjeve të dëmit, jo vetëm të banesave,por edhe biznesit, por dhe për pjesën sociale, institucionet publike, si shkollat, qendrat shëndetësore”.