Voltana Ademi çon Pjerin Ndreun në Gjykatë: Të mos njihet si kryetar i Shoqatës së Bashkive
Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e cila u shkarkua disa ditë më parë nga detyra e kryetares së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës të mos njohë Pjerin Ndreun si kryetarin e ri.
Në një kërkesë drejtuar Gjykatës, Ademi kërkon që të njihet si i vlefshëm vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Bashkive marrë më 8 qershor 2021 dhe të Vendimit të Komitetit Drejtues të datës 4 maj 2021, ku ajo është zgjedhur dhe konfirmuar si kryetare e shoqatës.
Ajo gjithashtu kërkon që të refuzohet regjistrimi i Vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të datës 8.6.2021, të thirrur nga Pjerin Ndreu dhe vendimi i Komitetit Drejtues të datës 8.6.2021 dhe çdo akti tjetër që mund të kërkohet të regjistrohet nga Ndreu dhe çdo person tjetër si vendime të marra në kundërshtim me ligjin dhe Statutin e kësaj shoqate.
Për Voltana Ademin kjo lëvizje u bë për të tërhequr padinë e bërë nga shoqata për mosnjohjen e zgjedhjeve vendore të vitit 2019, ku PD-ja dhe LSI-ja nuk morën pjesë.