Vota e diasporës në rrezik, PD: KQZ ta zgjidhë pa ndërhyrje në Kod
Partia Demokratike hedh dyshime mbi pretendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi se vota e diasporës mund të rrezikohet për shkak të afateve kohore. Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore Ivi Kaso, thotë se nuk e sheh zgjidhjen te ndryshimet në Kod, por këtë detyrë ja faturon KQZ-së.
”Nuk është detyrë e partive politike në këtë fazë të mendojë për zgjidhje, por detyrë e KQZ. Ka ende kohë dhe mënyrë për ta adresuar këto shqetësimi përpara se të mendojnë apo të rekomandohen propozime në kod”,-tha në ”A2cnn”. Nëse zgjidhja e vetme, thotë Ivi Kaso, është ndryshimi në Kod, atëherë PD nuk do të bëhet pengesë. Por për këtë shkuar tek ky hap selia blu ka nevojë për një shkresë zyrtare nga Celibashi.
”PD nuk do ta lë të dështojë për aspekte teknike për aq sa ka ajo në dorë, por së pari janë institucionet që duhet të eksplorojnë të gjitha mënyra të tjera. Nuk ka ende një shkresë zyrtarë për të amenduar kodin, qoftë edhe vetëm për këtë aspekt”.
Demokratët nuk duan që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të implementohet votimi elektronik, ndonëse ishin ata që kërkuan testimin e kësaj procedure në zona të caktuara të vendit. Në krahun tjetër, PS synon që të paktën ne qarkun e Tiranës të votohet elektronikisht, pavarësisht nëse PD kundërshton. Celibashi do të duhet të zgjedhë mes kërkesës së selisë rozë për të zbatuar ligjin dhe nevojës për një proces zgjedhur me konsensus politik.