Vota e emigrantëve, Majko: Dështimi nuk është alternativë
Për qeverinë shqiptare, votimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është një detyrim ligjor dhe kushtetues.
Në një intervistë për RTV ORA, Ministri i Diasporës Pandeli Majko nuk mendon se këtë çështje, politika ja ka ngecur KQZ, por i kërkon që vendimi të mos zvarritet nga ky institucion, por të nxjerrë aktet nënligjore.
“Unë ende shpresë plotë që në zgjedhjet e ardhshme, shtetasit tanë jashtë vendit do të votojnë. Nuk mendoj se politika i ka lënë diçka në derë, nëse mund të flasim kështu, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Aktet nënligjore janë një detyrë të cilën KQZ duhet ta kryejë,” u shpreh Majko.
Ministri Majko mendon që në këto momente të mos kërkohet përgjegjësi se pse nuk janë regjistruar adresat e këtyre qytetarëve në shtetet kur jetojnë, por nuk e lë pa nënvizuar hezitimin e PD për të mos dhënë dakordësinë për votën e tyre.
“Unë mendoj se çështja e përgjegjësisë nuk duhet ndërlidhur me të drejtën e votimit. Nga ana e opozitës ka një tërheqje me idenë se këtu ka një mungesë garancish. Nuk ka asnjë mungesë garancie,” tha Majko.
Qeveria e kërkon me ngulm votën e tyre dhe për këtë arsye është e gatshme të pranojë çdo mënyrë votimi që do të propozojë PD.
“Jemi të gatshëm të pranojmë çfarëdo lloj varianti që vjen nga Partia Demokratike për këtë çështje,” u shpreh Majko.
Pandeli Majko mendon se votimi i emigrantëve nuk do të dështojë, por risia e këtij procesi mbetet tek koha kur do të bëhet realit.
“Dështimi nuk është alternativë, tani nuk diskutohet dështimi. Diskutohet se kur do të aplikohet, do të aplikohet në këto zgjedhje apo në zgjedhjet e mëparshme,” shtoi Majko.
Vetëm rreth 3500 shqiptarë i janë përgjigjur thirrjes së qeverisë dhe KQZ për të regjistruar adresat e tyre në shtetet që jetojnë dhe punojnë, si një nga kushtet që ata të votojnë me 25 prill.