Votat e PDIU për refugjatët, Idrizi: Rruga e BE për Shqipërinë kalon nga Roma jo nga Athina
Marrëveshja Rama-Meloni për strehimin e refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër, në Kuvend mori edhe votat e PDIU-së. Kryetari Shpëtim Idrizi tha se PS-ja i kishte dhe e vetme votat për të miratuar marrëveshjen për emigrantët. Ai shtoi se PDIU-ja votoi pro, pasi Italia është një vend i rëndësishëm për Shqipërinë, që ka qenë aleat në rrugën integruese të vendit tonë në BE.
”Marrëveshja për emigrantët ishte marrëveshje e rëndësishme për partnerët strategjikë që ka Shqipëria. Maxhoranca i kishte votat për të kaluar marrëveshjen edhe e vetme. Vendimi ynë ishte gjeo-strategjik, pasi Italia për ne është një vend, që na ka dhënë mbështetje historikisht.
Kështu ne thamë që rruga për në BE për ne nuk kalon nga Athina, por kalon nga Roma, kalon nga Brukseli. PDIU ka qenë kundër çështjes së varrezave të ushtarëve grekë. Italia është partner strategjik për Shqipërinë. Nëse kthehemi tek Fredi Beleri, ai është një personazh që akuzohet se ka gisht në masakrën e Peshkëpisë.
Ai është dënuar nga gjykata e Vlorës për djegie të simboleve kombëtare, është njeriu që del me flamurin e Vorio-Epirit, që është flamur irredentist. Kështu, që nuk ka përse rruga e BE për Shqipërinë të kalojë nga Greqia. Ndryshe nga Athina, Italia ka qenë gjithmonë një vend mik. PS kishte votat, as që e dinte sesi do të votonte PDIU. Partnerët më të rëndësishëm tanë janë SHBA, Italia dhe BE e nuk janë Athina apo çështja Beleri. Çështja Beleri nuk i bën nder as PD-së”, tha Idrizi.