Votimi elektronik vlen 40 milion euro? Celibashi: Për votën e diasporës duhet vendosur sa më shpejt

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi flet për votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare të 2025. Ai tha se emigrantët shqiptarë duhet të votojnë pak ditë para qytetarëve në vend. ”Ka shumë modele, por logjikisht do të duhet që vota e atyre që votojnë jashtë territorit të ketë mbërritur në KQZ para orës së mbylljes së votimeve brenda vendit. Ky është një standard që aplikohet dhe në vende të tjera”.

Nga ana tjetër, Celibashi ritheksoi se votimi elektronik do të ishte varianti më i mirë. ‘‘Ne kemi rekomanduar bazuar në eksperiencën e deritanishme të këtyre projekteve-pilot që të zgjerohet jo më shumë se 6 apo 7 njësi zgjedhore, por nëse partitë politike bien dakord dhe nëse janë mundësitë financiare për ta shtrirë në gjithë territorin, atëherë do duhet të punojmë.

Përgatitja e procesit në aspektin teknik, kapaciteteve njerëzore kërkon goxha kohë. Nëse do kemi 4, 5 apo 6 muaj kam frikë se do jetë e pamundur për ta realizuar. Ndaj do ishte e udhës për mendimin tim, që të vendosin sa më shpejt në lidhje me këtë çështje”,-tha Celibashi në ”Tv Klan”.

Për të në rast se të gjithë votuesit shqiptarë brenda dhe jashtë vendit do japin verdiktin e tyre në mënyrë elektronike, kostoja mund të shkojë deri në 40 milionë euro. ”Minimalisht mund të përdoren për 4, 5 edicione zgjedhore”.

SHKARKO APP