Votimi për delegatët e Kongresit, Balla: Test për PS, në shtator ndezim motorët për fushatën e zgjedhjeve në 2025
Procesi i rienergjizimit në PS është në fazën ku anëtarët e organizatave socialiste po zgjedhin me votë 950 delegatët e rinj të Kongresit. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se ky është një test për strukturat e PS-së para muajit shtator, kur pritet që të ndezin motorët për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2025.
Procesi i votimit për delegatët e Kongresit zgjat sot deri në 19:00 dhe hapet nesër nga ora 08:00 të mëngjesit deri në 16:00.
”Procesi i rienergjizimit ka hyrë në fazën e vet më të rëndësishme. Qarku i Fierit është një ndër qarqet më të mëdha për nga numri i delegatëve që përfaqësohet në Kongres, për shkak të 14 mijë anëtareve.
Në përfundim të procesit do kemi edhe delegatët që do përfaqësojnë Fierin në Kongres. Procesi ka ecur shumë mirë, jam i sigurt që edhe nesër do kemi një pjesëmarrje të lartë. Ky është edhe një test për strukturën tonë të partisë para shtator kur ndizen motorët për zgjedhjet parlamentare 2025”,-tha Balla.