Vrasja e 25-vjeçarit/Protestuesit: Të dorëhiqet Rama dhe Lleshaj
Teksa protesta për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga Policia, është zhvendosur tek Kryeministria, motra e të ndjerit, Bora shprehet mes emocionesh se kërkon drejtësi dhe dorëheqjen e kryeministri Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
“Dua një të drejtë nga shteti, dua të drejtën e vëllait tim. Për çfarë mu vra? Për çfarë nuk qëlloi në ajër. Kërkoj drejtësi për vëllanë tim, ne duam të drejtën për çfarë arsye është vrarë. Ka qenë djalë shumë i rregullt, nuk ka pasur armë. Kërkoj të dorëhiqet Edi Rama dhe Sandër Lleshaj. Nuk e prisja, kur kam marrë vesh se vëllai im është i vrarë, më thoshin se është arrestuar, kur ma kanë sjellë jam tronditur. Vëllai nuk ka pasur armë. Ishte i fejuar këtë vit do të bënte martesën. Ka qenë djalë i qetë. Vëllai u vra për një maskë. Çfarë është ky shtet?”, thotë Bora.
Nga ana tjetër, ajo është shprehur se mbërriti me urgjencë nga Italia. ”Kur erdha unë nuk e takova dot të gjallë, e pashë në arkivol. Më ka prek në zemër. Kam dhe dy vëllezër të tjerë, unë jam motra e vetme, ishte vëllai i vogël. Policia që është shtet të qëllojë njëherë në ajër, pastaj jo ashtu direkt në zemër”,-tha më tej ajo.
Në duar e reja mbante një flamur kuqezi, duke u shprehur se e mbante për gjakun e vëllait të saj të vrarë. “E kam një flamur të kuq në dorë për gjakun e vëllait që më ka vdekur”.