Vrasja e 7-vjeçares në Himarë, Rama: Vrasësi të marrë ndëshkimin më ekstrem! Policia në udhëkryq
Teksa u prezantua Muhamet Rrumbullaku si drejtori i ri i Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama si rrallë herë i pranishëm në të tillë ceremoni, tha se Policia është në udhëkryq, si edhe kërkoi më shumë punë. ”Udhëkryqin që ndodhet policia muajt e fundit dhe nga aftësia që ka policia për ta kapërcyer këtë udhëkryq”. Po ashtu kreu i qeverisë komentoi edhe tragjedinë në plazhin e Himarës, ku polici përplasi për vdekje 7-vjeçaren.
”Edhe tani që po i lexoj këto rreshta kam një ndjenjë të fortë revolte për shkak se shkelësi i cili u kthye në vrasës, nuk ishte një pushues i zakonshëm, por punonjës police që edhe si pushues duhet të jetë shembull i respektit të ligjin.
Ky fakt e vë tragjedinë jo vetëm për prindërit e çdo shqiptari të thjeshtë, pavarësisht se kush ishte autori, por edhe shumë revoltues edhe për shkak të profilit të autorit. Ajo tragjedi nuk ka asnjë ngushëllim, s’ka si të ketë ngushëllim për familjen e një fëmije viktimë, por ama është vendi të thuhet që edhe në kulmin e një dhimbjeje ekstreme ajo familje e thjeshtë tregoi një vetëpërmbajtje të hatshme. Duke kërkuar mospolitizimin e fatkeqësisht”.
Megjithatë, kreu i qeverisë hodhi poshtë pretendimet se efektivi Arjan Tase, autor i vrasjes së 7-vjeçares në Himarë, është fytyra e Policisë.
“A ishte ai njeri i paudhë shëmbëlltyra e Policisë së Shtetit? Unë them jo. As ai, që uroj të marrë ndëshkimin më ekstrem, dhe as të tjerë individë të cilët vetë AMP i ndjek, i heton, i ndalon brenda uniformave blu, nuk janë shëmbëlltyra ta policisë, por thjesht jashtëmbetje të një organizmi që është në transformim. Të paudhët kanë marrë hov në kohët e fundit, hov që duhet ndërprerë sa më shpejt, me disiplinë ushtarake”.