Vrasja e kandidatit, kryebashkiaku Pjerin Ndreu: Jam i tronditur! Cenim i sigurisë në vend
Kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka reaguar pas ekzekutimit mafioz të biznesmenit Ardian Nikulaj në lokalin e tij në Shëngjin këtë të mërkurë.
“I tronditur nga ngjarja e sotme në Shëngjin, ku mbeti i vrarë Ardian Nikulaj, biznesmen dhe anëtar i këshillit bashkiak. Një ngjarje e tillë është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë publike në qytetin tonë”,-thotë kreu i Bashkisë.
Ndreu bëri thirrje për zbardhje të ngjarjes. “Kërkoj me forcë nga organet e rendit dhe prokurorisë që të zbardhin sa më shpejt ngjarjen për të vënë përballë ligjit autorët e kësaj ngjarjeje të shëmtuar! Shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe të afërmeve për këtë humbje kaq tragjike”,-tha më tej Ndreu.
Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri brenda ambienteve të lokalit të tij pranë portit të Shëngjinit paraditen e së mërkurës.