Vrasja e Klodianit, Rama e quan vdekje aksidentale: Jo pjesë e një misioni policor
Në një konferencë online me gazetarët këtë të martë, kryeministri Edi Rama, vrasjen e të riut Klodian Rasha nga efektivi i repartit ”Shqiponja”, e quajti vdekje aksidentale dhe jo pjesë e një misioni policor. Sipas kreut të qeverisë, nëse do të ishte pjesë e një misioni policor apo do të vritej rastësisht gjatë atij misioni, nuk do të merrnin pension.
”Nuk është një akt normativ por vendim qeverie, pikërisht pse qeveria nuk është gjykatë dhe të marrë përsipër të bëjë rolin e gjykatës është përdorur një term juridik teknik për të përcaktuar arsyen e dhënies së pensionit. Është thënë aksidentalisht nga veprimi i forcave policore, kjo do të thotë se personi që humbi jetën nuk ka qenë objekt i ndonjë misioni policor, por ka humbur jetën në kushte të një përplasje aksidentale. Kjo nuk përcakton që personi është vrarë me një plumb të ardhur nga qielli, kjo thjesht përcakton se humbja e jetës është një rezultat i një përplasje aksidentale.
Në këtë rast nuk ka qenë pjesë e një operacioni e ka raste që policia vendos në një operacion që një person i rrezikshëm duhet asgjësuar, pikërisht për të mos marrë përsipër për të bërë gjykatën por për të dhënë vetëm një pension është trajtuar. Kjo nuk ka lidhje me aksidentin në kuptimin e vendosje së një fjale përfundimtare të çështjes gjyqësore, kjo është e gjitha.
Po të ishte aksident po të kishte humbur jetën në rrugë rastësisht nuk do të merrte pension. Ka ndodhur që është vrarë një person i pafajshëm, në këtë rast është pjesëmarrja e qeverisë në një dhimbje që filloi me një ndjesë dhe e cila vazhdon me një hap tjetër që nuk e sjell më në jetë fatkeqin por sidoqoftë shpreh në mënyrë simbolike të qenurit pranë prindërve të tij”, tha Rama.