Vrasja e Nikulajt, vrasësi Ruben Saraiva arrestohet në Marok

Ruben Saraiva, vrasësi i dyshuar i Ardian Nikulajt është gjetur dhe është arrestuar në Marok. Nikulaj njihej si një biznesmen ndërtimi në zonë, ndërsa ka qenë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2021.

”Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj.

Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez R. R. S., 28 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë. Ndërkohë, vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje”,-njofton policia.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 19 prillit, ku autori qëlloi me 7 plumba mbi Ardian Nikulaj, teksa ky i fundit ishte i ulur në lokalin e tij, ndërsa më pak u largua me motor. Nga të dhënat e fundit, dyshohet që autori mund të jetë larguar në drejtim të paditur me makinën “Land Rover Defender”.

SHKARKO APP