Vritet me armë zjarri në qytetin e Shkodrës ish-kryekomunari i Velipojës dhe ish-deputeti Pashk Ujkaj

Ka humbur jetën, pas një atentati të kryer ndaj tij, ish deputeti Pashko Ujka, i cili ka kryer edhe funksionin e kryetarit të komunës së Velipojës në vitet 2011-2015.

Ai mbeti i plagosur mbrëmjen e të hënës në një pritë, në afërsi të banesës, në qendër të qytetit të Shkodrës. Përmes një njoftimi, policia vendore bëri të ditur se, 64 vjeçari Ujka ishte plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta. Ai është dërguar në gjendje të rëndë, në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku, megjithë kujdesin e ekipeve mjeksore, nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.

Shërbimet e policisë dhe të prokurorisë ndodhen në vendin e ngjarjes me qëllim zbulimin dhe kapjen e autorit si dhe zbardhjen e rrethanave të atentatit.

Dyshimet e para rreth plagosjes së Pashko Ujkës lidhen me detyrën e tij si kryetar i komunës së Velipojës në periudhën 2011-2015, komunë kjo, që në atë periudhë, administronte një nga plazhet më të rëndësishme të vendit, atë të Velipojës. Në zgjedhjet vendore të vitit 2011, Pashko Ujka u shpall fitues për postin e kryetarit të komunës së Velipojës si përfaqësues i Partisë Demokristiane, pjesë e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” . Ai arriti të mundë rivalin tij, kryetarin e kësaj komune, Nikollë Markun, përfaqësues i PD-së.

Gjatë legjislaturës 2005-2009, Pashko Ujka ishte deputet i PDK-së dhe kryetar i këtij grupi parlamentar, pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike.

 

SHKARKO APP