Vr@sja e 14-vjeçarit, Kisha Katolike thirrje: Çarmatosni duart dhe mendjet nga a@mët
Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani është një alarm për situatën sesi po rritet rinia. Me një mesazh të fortë, Kisha Katolike thotë se situata që po kalon shoqëria është e rëndë. Thirrja që lëshon Kisha Katolike, është për çarmatosjen e duarve, të zemrave dhe të mendjeve nga armët dhe nga armiqësia.
”Vrasjet dhe dhuna e kohëve të fundit, në qytetet e rëndësishme të Shqipërisë si Tirana dhe Shkodra, duke veçuar vrasjen e një nxënësi 14-vjeçar ditën e djeshme në Tiranë nga bashkëmoshatarët e tij, na shqetësojnë në lidhje me shëndetin e shoqërisë sonë. Në sytë dhe perceptimin tonë situata është e rëndë. Sot, në fillimin e mbledhjes plenare të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, i jemi lutur Hyjit për paqe dhe drejtësi në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë, ne si Kishë katolike, ngremë zërin për të punuar së bashku për një shoqëri më të paqtë, ku të mbizotërojë dialogu dhe ligjshmëria. Ndërsa kërkojmë angazhimin e strukturave që kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët dhe rendin, si Kishë katolike angazhohemi për të qenë ndihmë dhe bashkëpunues me të gjithë faktorët për një shoqëri më të mirë e më të sigurt.
U bëjmë apel të gjithëve për çarmatosjen e duarve, të zemrave dhe të mendjeve nga armët dhe nga armiqësia. Të gjithë, pa dallim, duhet të angazhohemi për të ndërtuar një shoqëri të paqtë e të drejtë”, thuhet në reagim.