Xhaçka: Të kërkojmë me ngulm anëtarësimin në BE! Ballkani teatri i dytë më i rëndësishëm i pasojave të luftës në Ukrainë
Ministrja e Jashtme, Olta Xhacka gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se duhet të kërkojmë me forcë që politika e zgjerimit të kthehet në vëmendjen e Bashkimit Europian.
Gjatë fjalës së saj Xhaçka e cilësoi Ballkanin Perëndimor si teatrin e dytë më të rëndësishëm të pasojave të luftës në Ukrainë.
“Gjatë vitit 2021 kemi marrë disa vlerësime të njëpasnjëshme nga Komisioni Evropian, si dhe nga Këshilli i BE-së në dhjetor 2021, se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit, çka pritet të bëhet nëpërmjet Konferencës së parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri.
Siç jeni të gjithë të njohur, për shkak të një artifice të krijuar nga një mosmarrëveshje mes dy fqinjëve të Shqipërisë, po e mban pezull edhe vendimmarrjen për Shqipërinë në Këshill.
Me të dyja vendet në fjalë ne gëzojmë marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyera reciprokisht. Gjithmonë kemi lobuar që mosmarrëveshjet dypalëshe të mos pengojnë avancimin e vendeve kandidate në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Kemi lobuar përherë që perspektiva e integrimit e vendeve të Ballkanit Perëndimor të jetë e qartë dhe konkrete dhe procesi të jetë i besueshëm dhe i parashikueshëm”, tha ministrja.