Xhafa-Naço: Drejtësia nuk funksionon
Partia Demokratike nuk i është bashkuar mazhorancës në Komisionin ad-hoc për Reformën në Drejtësi, pavarësisht ndërprerjes së bojkotit parlamentar.
Deputetët demokratë nuk ishin të pranishëm as në mbledhjen e dytë të Komisionit, ndërsa kreu i tij fatmir Xhafaj dhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço i drejtuan një apel opozitës të bëhet pjesë e kësaj reforme, duke vënë theksin në dakordësinë e palëve se drejtësia nuk funksionon.
“Ftoj opozitën të vijnë në këtë komision të posaçëm, pasi jemi dakord të gjithë që drejtësia nuk funksionon”, tha ministri Naço, duke shtuar se strategjia e Ministrisë së Drejtësisë për reformën në drejtësi shumë shpejt do të jetë gati.
Gjithashtu deputeti socialist Fatmir Xhafaj theksoi se në mbledhjet e tjera presim edhe ardhjen e opozitës dhe do të diskutojmë çështje më në detaje.
Ndërkohë, të martën në Tiranë do të vijë Presidenti i Komisionit të Venecias ku do të ketë takime të nivelit të lartë.
“Do të flitet për reformën në drejtësi dhe atashimin e Komisionit të Venecias për këtë reformë.
Gjykata e Lartë ka sjellë specialistët. Gjithashtu i kanë sjellë Prokuroria e Përgjithshme. KLD etj. Kemi përgatitur një dokument analitik që do ja u bëjmë publik javës tjetër.
Aty janë të gjitha tezat që kanë dalë nga takimet e nivelit të lartë. Ne po punojmë sëbashku me Euralius, që do të kemi mënyrën si do vlerësojnë gjyqtarët", tha Naço.
Komisioni i posaçëm parlamentar i ngritur nga Kuvendit për reformën në drejtësi do të punojë deri në muajin qershor, ndërsa ka zhvilluar vetëm dy mbledhje.
Partia Demokratike ka kushtëzuar pjesëmarrjen e saj në këtë reformë me zhbërjen e disa ligjeve të miratuara vetëm me votat e mazhorancës.
"Zhbërja e këtyre ligjeve është shumë e rëndësishme, apo zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në këtë domen është shumë i rëndësishëm.
Ajo që duhet të jetë prioriteti ynë është prioriteti për një reformë në drejtësi sipas të gjithë parametrave që presin shqiptarët dhe BE.
Jo interesi i Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit apo kujdo personi në enturazhin e tyre që kërkojnë të kapin kontrollin e drejtësisë. Dhe këto që kanë bërë deri më sot, qoftë ligji për Gjykatën e Lartë, qoftë ligji për KLD, ligji për pezullimin e gjyqtarëve, shkolla e Magjistraturës apo edhe këshilluesve të ndihmësve ligjorë të Gjykatës Administrativejanë vetëm me një emërues të përbashkët.
Emrat konkret të personave që do të emërohen do të shkakrkohen në sistemin e drejtësisë.Dhe kjo do të thotë kërkesë për kontroll”.
Ndryshimet në ligjet e drejtësisë bien ndesh me pavarësinë që duhet të gëzojnë këto institucione.
Një sistem gjyqësor që nuk është i pavarur është po aq i keq sa një sistem që është i korruptuar.
Të dyja këto të këqia ne duhet ti luftojmë, por duhet ti luftojmë sëbashku, jo njëherë një pjesë që i intereson Edi Ramës dhe më pas shohim për pjesën tjetër”, thekson deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.
KOHA JONË SONDAZH

