Xhafaj: Konsensusi i 21 korrikut dëmtoi reformën

I ftuar në emisionin “Top Story”, kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, njëkohësisht kryetar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar ligjin e Vettingut ishte i paralajmëruar, pasi sipas tij, kishte disa ditë që qarkullonte tek gjyqtarët dhe prokurorët vendimi në fjalë.

Por a është ky vendim pjesë e përpjekjeve për të penguar reformën në drejtësi? Xhafaj nuk e përjashton.

“Mënyra sesi është marrë vendimi, arsyet që e kanë çuar Gjykatën Kushtetuese në këtë vendimarrje, të bindin që kjo është një gjë e llogaritur në funksion të frikës, ose më saktë të presionit që ka një pjesë e mirë për shkak se janë subjekte të drejtpërdrejta të ligjit të Vettingut, por nga ana tjetër janë edhe një arsye shumë e fortë për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi. Sesa i drejtë është ky vendim, në këndvështrimin tim, kjo mbetet e diskutueshme edhe më vonë”, u përgjigj Xhafaj.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Kushtetuesja, konflikt interesi me Vettingun”

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjykata Kushtetuese ishte një ndër institucionet e para që do t’i nënshtroheshin ligjit të Vettingut, por a është vendimi i marrë për pezullimin e këtij ligji në konflikt interesi? Xhafaj solli si shembull ligjin e lustracionit.

“Fakti që Gjykata Kushtetuese është e para në radhë që do t’i nënshtrohet procesit të Vettingut, por nga ana tjetër ka detyrimin që përtej këtij fakti që të shqyrtojë kushtetushmërinë e vettingut. Kemi një precedent në rastin e ligjit të lustracionit, ku Gjykata Kushtetuese, edhe në atë rast ka qenë hapur në konflikt interesi. Tani konflikti i hapur i interesit është i prezumuar sepse askush nga ne nuk mund të thotë që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk do të kalonin procesin e Vettingut. Në rastin e lustracionit ata ishin dukshëm të ekspozuar përpara efekteve që sillte ligji i lustracionit. Ka një ndryshim thelbësor, këta e kanë përbrenda këtë, kurse ata e kishin të dukshëm”, u shpreh ai.

Xhafaj: Vettingu në Venecia, si lustracioni

Edhe në rastin e lustracionit, Kushtetuesja iu drejtua Venecias, e cila i ktheu përgjigjje duke u shprehur se kjo gjykata ka detyrimin që të dalë me një vendim për ligjin. Xhafaj paralajmëroi se e njëjta përgjigjje do të kthehet edhe për Vettingun, duke shtuar se referimi i ligjit për opinion ishte një hap i panevojshëm nga Kushtetuesja.

“Në rastin e mëparshëm iu drejtuan Venecias dhe Venecia i tha që Gjykata Kushtetuese ka detyrimin për ta shqyrtuar këtë projektligj dhe ashtu ndodhi. Venecia është shprehur njëherë për qëndrimin që duhet të mbajë Gjykata Kushtetuese. Pra, praktikisht po shkon te Venecia dhe po i thotë që ti e ke thënë njëherë, por ma thuaj sërish. Edhe nga pikëpamja e integritetit të një trupe si Gjykata Kushtetuese, kjo nuk është serioze sepse në një farë mënyrë do t’i bëjë të nënqeshin në Venecia”, u shpreh ai, duke shtuar se për një çështje kaq të rëndësishme, Kushtetuesja së paku duhej të dilte me një vendim të arsyetuar dhe të kishte thërritur një seancë plenare për të dëgjuar palët.

“Më parë ka thërritur palët dhe i ka dëgjuar, në këtë rast nuk e bëri këtë”, deklaroi Xhafaj.

Fatmir Xhafaj tha se vetë ngritja e Vettingut në nivelin e Kushtetutës, përjashton mundësinë që ligji në fjalë ta shkelë atë.

“Ky ligj nuk bie në kundërshtim me një dispozitë, sepse Kushtetuta ka një aneks kushtetues dhe ka qenë një diskutim mes nesh dhe Venecias nëse duhej ta bënim me ligj apo duhej ta ngrinim në nivel kushtetues? Ligji në vetvete është një përsëritje e normave kushtetuese dhe detajim procedurial i zbatimit të normës kushtetuese”, deklaroi ai.

Xhafaj: Pezullimi, kundër interesit publik

“Në rregull Venecia, por ajo që është e papranueshme është fakti që Gj Kushtetuese e ka çuar dhe njëkohësisht ka vendosur pezullimin. Gjykata në rastin konkret nuk është në kushtet që të vendosë pezullimin”, tha ai.

Xhafaj shtoi se Gjykata Kushtetuese ka shkelur një parim themelor në rastin konkret; atë të interesit publik.

“Që të pezullohet një ligj, duhet që të ketë pasoja, por këtu çështja që shtrohet është se kush ka krijuar pasojën më të madhe, vetë ligji i Vettingut apo vendimi i Gjykatës? Sot pasojën më të madhe e ka krijuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta pezulluar. Ligji i vettingut siç është sot ka 4 muaj që nuk krijon asnjë pasojë. Në 4 muaj, do të duhej të bëheshin vetëm dy veprime kryesore, së pari të plotësoheshin deklaratat, një formalitet dhe hapi i dytë krijimi i institucioneve që do të bëjnë Vettingut. Vetë PD, nuk kishte guxuar që të sulmonte këto dy gjëra. Të cilat mund të thuash që kishin efekt dhe pasojë. Ligji i vettingut në të vërtetë pas 4-5 muajsh fillonte efektet reale të tij. pra kishte të gjithë kohën e mjaftueshme Gjykata Kushtetuese që t’i drejtohej Venecias, të merrte përgjigjje prej saj dhe më pas të vendoste pa e pezulluar ligjin. A cënon vetë ligji interesat publike, një nga kushtet që ka Gjykata Kushtetuese në ligjin e saj? Ndërprerja e ligjit cënon në masë interesin publik. Publiku nuk kishte pritshmëri për pezullimin, kishte pritshmëri për të filluar procesi i vettingut dhe një gjykata kushtetuese nuk është një gjykatë e zakonshme, ajo është një gjykatë politike jopartiake sepse ndryshojnë qasje, pozicione politike, programe politike, janë gjykata të rëndësishme.”, thotë Xhafaj.

Por cilat janë pasojat e këtij pezullimi?

“Ky e ka ndërprerë. Ka krijuar një problem shumë të madh sepse nuk mund të bëjmë asnjë hap tjetër me reformën”, sqaron kreu i Komisionit të Reformës.

“Kushtetuesja ka probleme me Vettingun”

Një tjetër pyetje që po ngrihet është ajo nëse vendimi i Gjykatës është i motivuar politikisht. Xhafaj ka një përgjigjje të ndërmjetme.

“Është përputhur interesi i një grupi politik, si Partia Demokratike. Individë të Gjykatës mund të jenë orientuar kështu, por në tërësi nuk është orientuar nga kjo më shumë sesa nga problemi që ka në vetvete, që është problemi që ka me Vettingun mesa duket”, u shpreh Xhafaj.

Vettingu është bërë me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe drafti i reformës ka shkuar disa herë në Venecia, por a ka folur vetë ky Komision për ligjin e Vettingut më herët?

Fatmir Xhafaj thotë se po, Vettingu ka marrë dritën jeshile të Venecias dhe jo vetëm.

“Vetë Komisionerja për Drejtësinë në BE ka qenë e përfshirë drejtpërdrejtë. Përveç këtyre, vetë Komisioni i Venecias ka kontribuar përmes përfaqëqsuesit në Komisionin e Reformës direkt për ligjin e Vettingut dhe jo vetëm kaq, përveç dy shqyrtimeve janë marrë posaçërisht me Vettingun”, u përgjigj ai.

Deputeti solli edhe vlerësimin e këtij Komisioni për ligjin në fjalë, që justifikon masat e jashtëzakonshme dhe thotë se në draft janë reflektuar sugjerimet e tij.

“Në lidhje me masat e jashtëzakonshme Venecia thotë se janë të justifikuara dhe të nevojshme që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni që nëse nuk trajtohet mund të shkatërrojë tërësisht sistemin gjyqësor dhe vazhdon më poshtë: projekt-ndryshimet marrin parasysh shqetësimet që ne kemi verifikuar, varianti i aneksit është shkruar në mënyrë më të saktë dhe shumica e sugjerimeve të Komisionit janë marrë parasysh. E gjithë skema është bërë më e qartë dhe jep garanci më të mira për individët që mund të preken nga ky vlerësim”, u shpreh Fatmir Xhafaj duke cituar Komisionin e Venecias.

Në ankimimin e dorëzuar në Kushtetuese, Partia Demokratike argumenton kërkesën për pezullim të ligjit duke thënë se mund të ndodhë që ligji të ndërpresë mandatet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të sillte pamundësi në shqyrtimin e ligjit nga kjo gjykata, duke qenë se në shqyrtimin e çështjes duhet të marrin pjesë 2/3 e anëtarëve.

Xhafaj tha se ky arsyetim i Partisë Demokratike për të pezulluar ligjin nuk qëndron.

“Minimalisht që ky ligj të veprojë do të duhen të paktën 4 muaj, që të fillojë të ngrihet Komisioni. Do të vijnë përfaqësuesit ndërkombëtarë të monitorimit, që janë bllokuar sepse nuk fillon ligji efektet, nuk mund të rekrutohen, së dyti do të hapet gara këtu për anëtarët vendas të gjykatës së vlerësimit, të vettingut. Pra është një proces i tërë, që minimalisht në kushte ideale do 4 muaj. Kjo çështja e frikës, më shumë është ajo që është brenda vetes, sesa e vërteta”, deklaroi ai.

“Konsensusi dëmtoi reformën”

Xhafaj e quajti një hap pas marrëveshjen e 21 korrikut, konsensusin e arritur mes forcave politike për miratimin e Kushtetutës. Sipas tij, pasojat e këtij kësaj marrëveshjeje, do të ndjehen.

“Edhe marrëveshja e 21 korrikut, që për mua është një hap pas për procesin dhe do të ndjehen efektet. Është gjëja më e pak e shëndetshme në gjithë këtë proces të reformës. I dha më shumë hapësirë dhe ndikim partive politike në sistem. Edhe vetë komisioni i vettingut do të ketë 6 përfaqësues nga maxhoranca dhe gjashtë nga opozita. Ne vetë kishim kërkuar një përfaqësi të fortë ndërkombëtare në këtë pikë”, u shpreh Xhafaj.

Xhafaj: Presion nga një pjesë e gjyqësorit dhe prokurorëve kundër ligjit

Ndryshe nga ndryshimet kushtetuese dhe ligji për SPAK-un, Vettingu kaloi në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës. Por a ekzistonte mundësia që edhe ky ligj të miratohej me konsensus dhe të shmangej situata e sotme?

“Mungesa e konsensusit në rastin e Vettingut lidhet me presionin e madh që ka ushtruar një pjesë e trupës gjyqësore dhe të prokurorëve, që ndjejnë se preken drejtpërdrejtë nga kjo gjë. Presioni i tyre lidhet me qëndrimet që kanë mbajtur palët. Nuk janë shumicë dhe kjo është e vërtetë, por ka qenë një presion i madh i këtyre njerëzve”, u përgjigj Xhafaj. /Top Channel/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?