Xhafaj: Reforma në drejtësi, jo makijazh por operacion kirurgjikal.

Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi është mbledhur paraditen e sotme, ndërsa kreu i këtij komisioni Fatmir Xhafaj tha se po ecet mjaft mirë me reformën, e cila ka arritur në fazën e tretë.

“Është rritur besimi se reforma në drejtësi do të kryhet. Po arrijmë një reformë të mirë gjithëpërfshirëse, transparente. Profesionalizmi dhe standardet me të mira ndërkombëtare janë tiparet bazë të kësaj reforme. Ky proces në dy fazat e para ka fitur besueshmëri të lartë nga ndërkombëtarët, të cilët po ruajnë rol thelbësor në këtë proces. Faza e tretë konsiston në hartimin e amendamenteve kushtetuese dhe ligjore, për të hapur një faqe të re në funksionimin e drejtësisë në vendin tonë”, tha ai, duke theksuar gjithashtu se reforma do jetë transparente, gjithëpërfshirëse dhe profesionale si dhe do mbështetet tek eksperienca e ndërkombëtarëve. 

Duke pranuar problemet që sistemi i drejtësë shqiptare ka, Xhafaj shtoi edhe faktin se me këtë reformë nuk do i bëhet makijazh sistemit, por një operacion kirurgjikal.

“Situata në sistem është kritike, ka paaftësi, korrupsion dhe mungesë dinjiteti e përgjegjshmërie që e bëjnë sistemin të varet nga ndikimi politik, e çojnë në duart e më të pasurve, bëhen favore për të pasurit. Nuk do bëhet makijazh, por ndërhyrje kirurgjikale që të shëndoshim pjesën e këtij sistemi, të ndahemi nga të paaftët dhe të inkriminuarit në sistem”.

Xhafaj tha më tej se, reforma do synojë të pastrojë sistemin nga të korruptuarit he për të do punojnë ekspertë të nivelit të lartë si shqiptarë ashtu edhe ndërkombëtarë.

“Synojmë që ky proces të ketë konsensus, jo vetëm kontribut të një spektri të gjerë por edhe pranim të konkluzioneve të kësaj reforme. Më duhet ta theksoj se konsensusi për hir të konsensusit është i dëmshëm, konsensusi duhet ti shërbejë reformës, politika të përfshihet aktivisht por të tregohet modeste për shkak të bashkëpërgjegjësisë që kanë për gjendjen aktuale të sistemit. Kemi rrugë për të bërë, për të fituar besimin e qytetarëve si dhe për rezultate të prekshme, besojmë që jemi në rrugën e duhur”. Sipas Xhafajt, kjo keformë pritet të riformatojë tërësisht edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

SHKARKO APP