Xhelal Mziu mesazh dibranëve që nuk votuan ndryshimin: Do ju mallkojnë fëmijët për 5 mijë lekëshin që keni marrë
Xhelal Mziu, i cili mori mandatin e deputetit në Dibër i është drejtuar me një mesazh falënderues të gjithë qytetarëve dibranë, që sipas tij zgjodhën ndryshimin.
Me anë të një statusi në Facebook, Mziu kishte edhe një mesazh për ata, të cilët nuk votuan Partinë Demokratike, por që sipas tij për shkak të varfërisë ia shitën shpirtin “shejtanit” duke shitur votën.
“Ajo 5 mijë lekëshe do të jetë mallkim, për ju, fëmijët tuaj do t’ju mallkojnë…!”, shkruan Mziu në Facebook.
Xhelal Mziu thotë se Partia Socialiste ka përdorur çdo mënyrë për të marrë votat, jo vetëm në Dibër, por në gjithë Shqipërinë. “Nuk është koha për të treguar se çfarë bëmë keq në shkallë kombëtare, apo si mund të ishim mbrojtur nga blerja masive e votës, sepse kjo tashmë s’ka vlerë, por ajo që është e rëndësishme, ne, u treguam me zë dhe me figurë se për të mbajtur pushtetin u përdor e gjithë makineria shtetërore”, thote Mziu.
Mesazhi i Xhelal Mziut
Të dashur vëllezër Dibranë!
Mora t’ju shkruaj dy fjalë zemre, sot, jo se nuk kisha mundësi ta bëja që ditën e parë, por në respekt të ç’do kolegu kandidat për deputet, të çdo votuesi.
Në fillim dua të falenderoj të gjithë Dibranët, Matjanët dhe Bulqizakët që dolën në një masë të madhe në votime për të zgjedhur “Ndryshimin”, dhe ne si Qark ishim në anën e ndryshimit.
Dua të falenderoj përzemërsisht strukturat e Partisë Demokratike, koordinatorët, dhe gjithë demokratët, të cilët u angazhuan me mish e me shpirt për të sjellë ndryshimin e shumëpritur prej 8 vitesh.
Dua të falenderoj të gjithë strukturat mbështetëse, të gjithë votuesit që i besuan një programi më i miri i hartuar ndonjëherë nga Partia Demokratike, dhe Lulzim Basha, na besuan neve duke na votuar dhe duke e kthyer Partinë Demokratike në forcë fituese në Qarkun e Dibrës.
Dua të falenderoj të gjithë ato demokratë, qëndrestarë që për 3 muaj rresht ,por edhe në 8 vjet opozitë, na kanë mbështetur , kanë lënë hallet e tyre familjare mënjanë, kanë lënë fëmijët dhe janë vënë në mbrojtjen e votës duke u përballur me më të “këqinjtë” të vënë në shërbim të partisë shtet.
Një falenderim i sinqertë për të gjithë ato intelektualë që na u bashkuan, për të gjithë ato Dibranë që erdhën nga Tirana e Durrësi dhe u bënë pjesë e fushatës sonë, deri ditën e zgjedhjeve.
Bashkimi ynë, unifikimi dhe fushata model dhe qytetare i tmerroi kundërshtarët, që alternativë kishin vetëm blerjen me para krimi.
Mendja Dibrane triumfoi dhe shkërmoqi bandën e Rilindjes…!
Megjithëse nuk u gëzuan si ne edhe në shkallë kombëtare, ne u treguam Shqiptarëve, ndërkombëtarëve, mediave të shitura se në Shqipëri, një “skizofren” autokrat ka shkatërruar përfundimisht institucionin e zgjedhjeve të lira.
Nuk është koha për të treguar se çfarë bëmë keq në shkallë kombëtare, apo si mund të ishim mbrojtur nga blerja masive e votës, sepse kjo tashmë s’ka vlerë, por ajo që është e rëndësishme, ne, u treguam me zë dhe me figurë se për të mbajtur pushtetin u përdor e gjithë makineria shtetërore.
U përdor administrata duke i shantazhuar ato, u përdorën të punësuarit fiktivë, u përdorën punëdhënësit, u përdorën mësuesit, mjekët dhe infermjerët.
U përdorën para të pista pafund, të shpërndara nga punonjësit e postës në zarfat e pensioneve, u përdorën administratorët të cilët çuditërisht çonin nëpër shtëpi edhe në orë të vona të natës zarfat me para, gjoja të ndihmës ekonomike.
U përdorën segmente të caktuara të policisë së shtetit, “ushtarë të krimit të organizuar, të përdorur edhe në 2016 në parcelat e hashashit, apo 2017 në vjedhjen e votave”, dhe të gjitha këto i kemi referuar në organet kompetente.
U përdorën bandat e krimit të organizuar njësoj si në zgjedhjet e kaluara, por që për këto krime elektorale besoj se do të ketë një dosje, një dosje që shpresoj të mos ketë fatin e “dosjes 184” që të zhduket dhe aktorët të rikandidojnë përsëri për deputet.
U lejuan qindra ndërtime pa leje duke u nisur nga nga qyteti i Peshkopisë, ku është zënë çdo hapësirë, ndërtime pa leje në gjithë Maqellarën,në Gjoricë, Shupenzë e Bulqizë, në këmbim dhe për të deformuar votën e qytetarëve.
U zhvilluan tendera dhe PPP për të tjetërsuar votën me paratë e tyre.
Përballë të gjitha këtyre qëndruam ne, demokratët, dhe fituam kundër kësaj makinerie kriminale.
Fituam si Qark.
Fituam dhe i kthyem Dibrës nderin, duke i shtuar Partisë Demokratike edhe një mandat.
U bëmë tre!
Një falenderim edhe për ato njerëz të pa interesuar që këtë herë na mbështetën. Edhe për ato socialistë të ndershëm apo të zgënjyer që na kanë votuar, ato janë persekutuar nga Rilindja njësoj si ne.
Dua të falenderoj familjen time, nipërit dhe kushërinjtë, farefisin dhe miqtë e familjes, shokët me të cilët kam punuar për vite me rradhë në Kamëz. Ju faleminderit për mbështetjen. Ju lashë për në fund jo se jeni më të parëndësishëm, por se detyrimi juaj është më i madh për shkak të afërsisë së gjakut.
Kam edhe dy fjalë për ato Dibranë të ndershëm ose jo, që për shkak të varfërisë apo për problemet e tyre ia shitën shpirtin “shejtanit” shitën votën, shitën nderin, u shitën për 4 vjet me 5 mijë lekë…!
Vota juaj nuk bën 5 mijë lekë!
Ajo 5 mijë lekshe do ju dalë në ëndërr për 4 vjet, sa herë t’ju mbarojë thesi i miellit, sa herë tu duhet të shkoni në spital,sa herë të shkoni më dyqan, sa herë tu drejtoheni shkollave, universiteteve, zyrave të shtetit.
Ajo 5 mijë lekëshe do tu vrasë në shpirt sa herë të mos keni lekë për tu blerë librat e fëmijëve, apo kur tu dalin gishtat nga atletet e “gabit”.
Ajo 5 mijë lekëshe do të jetë mallkim, për ju, fëmijët tuaj do t’ju mallkojnë…!
Si vëllezërit e mi ju këshilloj mos u shisni kaq lirë, mos ia shisni fatin e fëmijëve bandave të krimit të organizuar, mos ia shisni nderin kësaj makinerie qeveritare të pandershme që të blen një ditë për 4 vjet.
Nderi i Dibranit nuk është aq i pavlefshëm…!
Sot është dita të bashkohemi sa më shumë, të mbështesim fort liderin e Partisë Demokratike z. Lulzim Basha , një lider me prirje Europiane, vizionar dhe i suksesshëm.
Beteja sapo ka filluar!
Ju falenderoj përzemërsisht!