Ylli Manjani: Ja pse në Shqipëri u bë eksperiment me reformën në drejtësi
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i është përgjigjur shqetësimit të ngritur nga Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili për eksperimentin që u bë në Shqipëri më reformën në drejtësi. Në një reagim në rrjetet sociale, Vasili citonte zyrtarë të BE dhe SHBA që refuzonin kryerjen e vettingut në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut duke e cilësuar atë si një proces që sjellë probleme për funksionimin e shtetit, ndërkohë që në Shqipëri vettingu ka bllokuar gjykatat dhe ende quhet si sukses.
Në reagimin e tij, Manjani shprehet se reforma në Shqipëri u la në dorë të ekspertëve gjithfarësh, ndërsa politika votoi çdo ligj të reformës pa e lexuar, por vetëm për të marrë mbështetjen e ambasadorëve. “Askush nuk e pa rënien e shtetit të projektuar nëpërmjet Republikës së Ekspertëve, në rreshtat e atyre ligjeve që u miratuan pa u lexuar. Vakumet në sistemin gjyqësor, Vettingu selektiv dhe me dy standarte dhe kontrolli i emërimeve të reja nga pushteti i radhës vijnë nga ligjet e reformës, pastaj dhe nga vullneti i keq i zbatuesve. Ku është parë e dëgjuar që të lësh vendin pa gjykata të quhet sukses i Reformës?! Askund nuk mund të ndodhë kjo që ka ndodhur këtu. As në Kosovë e as në Maqedoni, sepse në të dy këto vende shtetit i thuhet shtet dhe jo shaka…!”,- shprehet Manjani në reagimin e tij.
Postimi i plotë i Ylli Manjanit në Facebook:
“Miku im Petrit Vasili, në një shënim në faqen e tij të FB konstaton se : ” vetingu është i papranueshëm në Kosovë dhe Maqedoni, përse në Shqipëri u bë eksperimet..”?!
Ashtu është!
Ka shumë të drejtë Petriti. Në Shqipëri u bë eksperiment dhe me goxha pikpyetje të ngritura edhe nga Komisioni i Venecias asokohe. Por për t’iu përgjigjur pyetjes “përse”, them se përgjigja është një dhe e thjeshtë:
Në Shqipëri drejtojnë politikanë të papërgjegjshëm që për pushtetin e vet e shesin shtetin tek cilido ambasador e cilado ambasadë.
Republika Kushtetuese e Shqipërisë në mënyrën më të papërgjegjshme e të pa principtë ju la në dorë ekspertëve gjithfarësh që shkruan cv e tyre me këtë eksperiment.
Politika Shqiptare u vu në rresht për të miratuar pa lexuar asnjë rresht nga ato që shkruheshin, vetëm për një duartrokitje ambasadorësh. Askush nuk e pa rënien e shtetit të projektuar nëpërmjet Republikës së Ekspertëve, në rreshtat e atyre ligjeve që u miratuan pa u lexuar. Vakumet në sistemin gjyqësor, Vettingu selektiv dhe me dy standarte dhe kontrolli i emërimeve të reja nga pushteti i radhës vijnë nga ligjet e reformës, pastaj dhe nga vullneti i keq i zbatuesve.
Ku është parë e dëgjuar që të lësh vendin pa gjykata të quhet sukses i Reformës?! Askund nuk mund të ndodhë kjo që ka ndodhur këtu. As në Kosovë e as në Maqedoni, sepse në të dy këto vende shtetit i thuhet shtet dhe jo shaka…!”.
Më në fund them se askush nuk na e ka fajin as Ambasadorët e as Ekspertët! Jemi ne këtu (në radhë të parë vendimmarrësit e mandatuar në Parlament) fajtorë për dërrmën që i dhamë idesë së shtetit të pavarur e të pakapshëm nga pushteti. Dëmi që i është bërë idesë shtet-ndërtuese është i jashtëzakonshëm.
Kam bindjen se shkatërrimi i kësaj ideje vrau shpresën se një ditë do kemi një shtet të drejtë, ndaj dëshira për të ikur nga vendi vetëm u shtua. Unë kështu e shoh çështjen e shtruar me shumë të drejtë nga miku im Petrit Vasili”.
https://arkiva.kohajone.com/shba-dhe-be-kunder-vetingut-ne-kosove-e-maqedoni-vasili-pse-shqiperia-u-perdor-si-vend-eksperimental/