Ylli Manjani: Proporcional kombëtar dhe lista të hapura

Nga Ylli Manjani –

Ky është propozimi im! Reforma e vetme zgjedhore që përmbys sistemin e kalbur politik, është ndryshimi i sistemit zgjedhor nga Proporcional Rajonal që kemi sot në Proporcional të thjeshtë Kombëtar.

Pra votimi bëhet në shkallë vendi, pa ndarje administrative si deri më sot. Vota merr të njëjtën vlerë kudo ku ajo hidhet. Jo si deri më sot ku dhjetë vota në Kukës janë sa një votë në Tiranë…

Jo maxhoritar as i përzier, por proporcional i pastër. Partitë të konkurrojnë dhe të tregojnë sa vlejnë vetëm nga numri i votave që marrin nga populli, jo nga formulat as nga koalicionet.

Llogaritja bëhet fare e thjeshtë: numri i votave të partisë/kandidatit pjestohet me numrin total të votave në shkallë vendi dhe shumëzohet ne numrin e vendeve që ka parlamenti (140 ka sot).

E thjeshtë fare! Pa asnjë stërhollim matematik. Mundësisht pa prag elektoral, ose me prag të arsyeshëm, por me lista të hapura.

Se që të përmbyset sistemi i kalbur politik, duhet ti hiqet superpushteti kryetarëve të partive. Ose lista të hapura ose llogari pa prag elektoral.

Kjo është reforma e vetme që duhet bërë. Të tjerat janë deklarata jo ligje, aq më pak reforma!

Dhe sigurisht, kjo reformë nuk bëhet dot pa patur në këmbë parlamentin pluralist.

Nuk behet as me mbledhje ekspertësh nëpër seli partish…

Kjo është zgjidhja e krizës so përhershme që ka demokracia jonë, që rrëshqet shumë kollaj në autoritarizëm kryetarësh, njishash, kingash e të fortësh.

Kushdo që thotë s’ka faj sistemi i sotëm, është bashkëpunëtor në dhunimin e demokracisë.

SHKARKO APP