Ylli Manjani: Ta çojmë doktorin në maternitet, dhe Erjon Veliaj në bashki
Kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Këshillin Bashkiak të Tiranës Ardit Çela, Brunilda Paskali, Sidiola Basho dhe Alfred Alstafa zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e Njësisë Bashkiake nr. 6 në kryeqytet. I pranishëm në këtë bashkëbisedim ishte edhe Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani.
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, vlerësoi se Kombinati përveçse është vendi i punës, ku është punuar gjithmonë, sot është edhe vendi i rinisë duke dhënë garanci për fitoren në zgjedhjet e 21 qershorit.
“Lëvizja Socialiste për Integrim sot është një parti në trend, është një parti në rritje. Për të gjithë ju që jeni sot me ne, ju është dhënë mundësia në fakt që të jeni pjesë e historisë politike të këtij vendi, sepse po asistoni në ngritjen dhe në fuqizimin e një partie politike moderne. Pas disa vitesh LSI-ja do të jetë një parti e madhe, dhe ne jemi pjesë e historisë së LSI-së, që do e çojnë në disa nivele që do të jetë e ëndërruar edhe nga partitë tradicionale, që për hir të së vërtetës, kanë problemet e tyre. Sidoqoftë, unë ju falënderoj për mbështetjen dhe ju ftoj që të votoni LSI-në dhe Erjon Veliaj, sepse janë zgjedhja e duhur. Ne kemi një sfidë për ta realizuar, duam që shërbimet e qytetarëve, punësimi, shërbimi, mirëqenia, urbanizimi, zhvillimi, të jenë në duart tuaja, jo në duart tona”, tha z. Manjani, ndërsa kërkoi dhe mbështetjen për kandidatin e përbashkët të ASHE-së në zgjedhjet vendore.
“E vetmja mënyrë që kjo të bëhet realitet është të votojmë LSI-në dhe kandidatin Erjon Veliaj. Erjoni është kandidati i bashkisë sepse ai nuk ka konkurrent. Ne e respektojmë doktorin, është i nderuar, por ne bashki nuk kemi nevojë vetëm për gjinekolog, por edhe për edukator, mësues, ekonomistë, sepse jeta është e gjatë. Lindja është vetëm një moment, por jeta është më e gjatë se lindja. Kështu që nga kjo pikëpamje, ta çojmë doktorin në maternitet, dhe Erjonin Veliaj në bashki.”, deklaroi nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani.
Në fjalën e saj, znj. Brunilda Paskali u shpreh se pjesëmarrja dhe mbështetja masive e të rinjve është tregues i vizionit për të parë përpara.
“Jam vërtet shumë e lumtur të jemi këtu midis jush sot. Kjo na shërben për të treguar se Lëvizja Socialiste për Integrim i ka në qendër të vëmendjes të rinjtë. Sepse të rinjtë nuk janë vetëm e tashmja, por edhe e ardhmja. Janë ata, që do të vazhdojnë të mbështesin rrugën e Lëvizjes Socialiste për Integrim në vitet që do të vijnë. E them me shumë kënaqësi që nëqoftë se rinia të mbështet, do të thotë se ata shohin të ardhmen, sepse janë largpamës dhe të gjithë punën e bëjnë me dashuri e përkushtim.”, tha znj. Paskali.
Ndër të tjera, znj. Paskali, vlerësoi dhe rolin e grave dhe të vajzave në jetën politike të vendit. “Unë jam shumë e kënaqur sepse shikoj shumë gra, zonja dhe vajza të reja në këtë aktivitet. Përse e them këtë? Sepse Lëvizja e Gruas për Integrim është shtylla tjetër shumë e fuqishme e forcës sonë politike. Jo vetëm për faktin që sot Këshillat Bashkiakë janë 50 me 50 për qind, një arritje kjo shumë e madhe, por edhe për faktin që Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë shumë largpamëse. Që në vitin 2012 vendosi që në të gjitha organet e veta drejtuese të kishte 50 me 50 për qind gratë me burrat. Pra, ishte në pararojë të të gjitha partive të tjera politike në Shqipëri në këtë aspekt dhe sot ne shikojmë që shembullin e LSI-së e kemi ndjekur në zgjedhjet lokale. Unë shpresoj që, edhe me mbështetjen e deputetëve të Parlamentit shqiptar, do ta arrijmë ta bëjmë edhe në zgjedhjet lokale. Unë e shikoj shumë të rëndësishme që gratë dhe vajzat të përfshihen më shumë në jetën politike e atë shoqërore, sepse aftësitë dhe mundësitë janë të mëdha. Në programin tonë për Këshillin Bashkiak të Tiranës kemi menduar që, gra dhe vajza, të cilat nuk kanë pasur mundësi të futen deri më sot në tregun e punës, për një arsye apo një tjetër, t’u ofrojmë kurse kualifikimi dhe përgatitje që ato më pas të kenë mundësi të integrohen në tregun e punës”, tha znj. Paskali.
Një tjetër pikë në të cilën u fokusua znj. Paskali ishte dhe mbështetja që sipas saj do t’i jepet biznesit në tërësi, duke e konsideruar si një nga prioritetet e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe qeverisë shqiptare. “Nga ana tjetër, duke qenë pjesë e Ministrisë së Ekonomisë, merrem me bizneset, me sipërmarrjet. Kjo do të thotë që sipërmarrja është shumë e rëndësishme për ne si forcë politike dhe natyrisht për gjithë qeverinë shqiptare, sepse është ajo që mbështet zhvillimin ekonomik të vendit, që ofron vende pune. Prandaj ky është një nga prioritetet tona, mbështetja ndaj biznesit të vogël e të mesëm. Ne si kandidatë dhe si anëtarë të ardhshëm të Këshillit Bashkiak të Tiranës kemi ndërmarrë një nga impenjimet tona më të rëndësishme. Ne sot kemi dalë dhe kemi parë nga afër problematikat që ju shqetësojnë ju më së shumti në këtë zonë. Kemi pyetur banorë të ndryshëm, kemi pyetur biznese dhe natyrisht që problematikat ishin të ndryshme, që nga infrastruktura, legalizimet, mungesa e energjisë elektrike, mungesa e ujit të pijshëm. Problematika të cilat ne sigurisht do t’i ngremë në Këshillin Bashkiak. Për të ruajtur lidhjet tona të ngushta dhe për të qenë konkret në zgjidhjet tona, kemi vendosur që një herë në tre muaj të takohemi me komunitetin për të marrë mendime, sugjerime nga ta për t’u ngritur në Këshillin Bashkiak. Të gjitha do të jenë pjesë e strategjisë së programit tonë. Prandaj ju ftoj të votoni në 21 Qershor për numrin 47, për LSI-në.”, – ka përfunduar në fjalën e saj, znj. Paskali.
Ndërkohë, kandidati i LSI për Këshillin Bashkiak të Tiranës, z. Ardit Çela u shprehur se më 21 qershor të gjithë do të votojmë për kandidatin për kryetar bashkie, për kandidatin e mazhorancës, z. Erion Veliaj, i cili është drejtimi i duhur për Tiranën.
“Ne do e mbështesim maksimalisht projektin e tij për një Tiranë me më shumë shërbim dhe më shumë punësim për qytetarët. Unë ju jap fjalën sot, që si këshilltar i LSI i Kombinatit në bashkinë e madhe do përpiqem maksimalisht që çdo sekondë ta harxhoj vetëm për Njësinë nr. 6, për të zgjidhur problemet e kësaj njësie dhe për të rikthyer vëmendjen e bashkisë në drejtim të Kombinatit, në drejtim të Unazës së Re, në drejtim të Misto Mames dhe në drejtim të qytetit të nxënësve. Ne jemi sot të vendosur që së bashku me këshilltarët e tjerë, së bashku me ndikimin tonë që do kemi në Bashkinë e Tiranës ta kthejmë vëmendjen nga Kombinati, që njësia nr. 6 të jetë prioritet dhe ne do ta arrijmë këtë gjë. Do mundohem të jem zëri juaj që t’i japim zgjidhje problemit të ujit të pijshëm, është për të ardhur keq që akoma në 2015 të kemi probleme me ujin e pijshëm në Kombinat. Në të njëjtën kohë do të jemi zëri i rinisë”, tha z. Ardit Çela.