Ylli Shehu: Ika nga Mediu se nuk kandidoi Dukën! PR: Deputeti nuk foli kurrë në forume

 

Deputeti Ylli Shehu ka sqaruar përmes një deklarate arsyet sepse u largua nga Partia Republikane dhe iu bashkua Grupit Parlamentar të LSI-së. Shkaku kryesor i largimit sipas tij, është mosmbajtja e fjalës nga ana e kreut të republikanëve Mediu, se PR do të dilte e vetme në zgjedhje, nëse demokratët nuk vendosnin të kandidonin Agron Dukën për Bashkinë e Durrësit në garën e 21 Qershorit.  

"Me keqardhje u njoha me qëndrimet e mbajtura nga z.Mediu ndaj vendimit tim për t`iu bashkuar grupit parlamentar të LSI. Desha të sqaroj qartë edhe njëherë, se nuk kam ikur por kam bërë një zgjedhje, e cila ka qenë thellësisht e motivuar dhe parimore, pasi për fat të keq z.Mediu i iku në mënyrë krejtësisht jo transparente premtimit publik të bërë në strukturat drejtuese të Partisë Republikane, që nëse Partia Demokratike nuk do t’i qëndronte angazhimit për të kandiduar z.Agron Duka për kryetar të bashkisë së Durrësit atëherë Partia Republikane për të vënë ëe vend dinjitetin e nëpërkëmbur do dilte më vete dhe do të kandidonte me kandidatët e saj në të 61 bashkitë e vendit.

Ndërkohë që Partia Demokratike nuk i qëndroi premtimit për të kandiduar z.Agron Duka në krye të bashkisë së Durrësit ku unë shpreh bindjen time se ai do të kishte qenë fitues, pa dhënë asnjë shpjegim dhe për arsye jo transparente që vetëm ai i di, z.Mediu vendosi të vazhdonte koalicionin me PD sikur asgjë nuk kishte ndodhur, asgjë dhe sikur asgjë nuk ishte thënë, duke i ikur në mënyrë krejtësisht jo transparente premtimit publik të bërë në strukturat drejtuese të Partisë Republikane dhe të pasqyruar gjerësisht edhe në mediat shqiptare për të dalë e vetme në zgjedhje e për të konkurruar në 61 bashkitë e vendit. Në këto kushte i kam bërë me dije strukturave të Partisë Republikane dhe z.Mediu mospajtimin tim me këto qëndrime sa inferiore, kontradiktore dhe qesharake, duke bërë edhe zgjedhjen time politike për ti`u bashkuar grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim", tha Shehu.

Ndërkohë në një deklaratë për mediat, Partia Republikane shprehet se ish-deputeti i saj, nuk ka folur asnjë herë në forumet e partisë. Madje zëri si deputet nuk i është dëgjuar as në Kuvend!

SHKARKO APP