Ambasadorja Yuri Kim flet pas takimit me Bashën, por ato që deklaron nuk kanë lidhje me darkën

Nga Herion Mesi, zv/kryeredaktor i KOHA JONE-

Mbrëmë ambasadorja amerikane ishte për darkë në një restorant me kreun e opozitës, Basha. Pasi e bënë lajm (vetë) darkën, sepse u kujdesen të nxirrnin foton, Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka dhënë detaje nga takimi me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Përmes një shënimi në Twitter, Kim sqaron se në takim është diskutuar për rolin thelbësor të opozitës në demokraci, pikëpamjet e opozitës mbi çështjet kryesore dhe përgatitjet për zgjedhjet e 25 Prillit.

“Sonte diskutuan rolin thelbësor të opozitës në demokraci, pikëpamjet e opozitës mbi çështjet kryesore dhe përgatitjet për zgjedhjet e 25 Prillit. Të gjitha partitë duhet të sigurojnë kandidatë të pastër. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë pjesën e vet për të mbështetur zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri”- shkruan ambasadorja Kim.

Por të bën përshtypje se të gjitha sa thotë ambasadorja në Twitter janë gjërat e duhura në një Demokraci normale. Por darka duket se fsheh ato që janë biseduar realisht.

Dhe ja pse.

Së pari të diskutosh kokë me kokë në darkë (në kohë pandemie, ku duhet ruajtur edhe distanca në restorant) për “rolin e opozitës në demokraci”, ndërkohë që Lulzim Basha nuk është as ish-komunist dhe as i pa shkolluar, lë pas një hije dyshimi se këto do t’ia mësonte ambasadorja në një darkë! Apo do t’i sqaronte Luli gjatë darkës.

Së dyti, të thuash se “u diskutua në lidhje me pikëpamjet e opozitës mbi çështjet kryesore”. Edhe kjo dihej para darkës, pasi Lulzim Basha me LSI dhe krejt opozitën kanë qenë shumë të qartë, edhe pa hyrë në restorant.

Së treti, të shkruash se “Të gjitha partitë duhet të sigurojnë kandidatë të pastër”, as kjo nuk bind njeri, sidomos në këtë pikë ka qenë PD dhe Lulzim Basha (bashkë me LSI) që hartuan ligjin kundër kandidimit të elementëve kriminalë, kur PS-ja ishte plot me emra të botës së krimit në parlament dhe nëpër bashki e institucione. Pra nëse duhej thirrur për këtë për tu qartësuar, më mirë të ftonte Edi Ramën, sepse PS-ja ka probleme në këtë drejtim.

Aq me tepër kaq afër në darkë në kohë pandemie e ku foto tregon se janë shkelur rregullat e pandemisë, më e nevojshme ishte darka me kryeministrin, gjithnjë për sa shkruam Kim se “Të gjitha partitë duhet të sigurojnë kandidatë të pastër”. Bile me Edi Ramën, kjo distancë sa me Bashën, nuk do të kishte problem pasi kryeministri shkoi në SHBA dhe e bëri për vete dhe Fugën vaksinën kundër Covid-19.

Basha nuk e ka kaluar akoma Covid-19.

Kim foli, kurse Basha akoma nuk është rrëfyer për publikun, siç sqaroi ambasadorja me Twitter. Luli duhet të tregojë demokratëve nëse i kërkoji ambasadores që pse u shkatërrua marrëveshja e 5 qershorit firmosur para saj e ku ambasadorja thërriste “Luli, eja Luli!”.

Luli, duhet të rrëfehet nëse i tha ambasadores, në darkë, se Rama i përdori ambasadorët dhe e prishi Marrëveshjen si dhe preku Kushtetutën në mënyrë të njëanshme.

Luli duhet të tregojë nëse, pasi ia sqaroi për “rolin e opozitës, për kandidatët e pastër”, a e pyeti ambasadoren nëse kryeministri prek zgjedhjet, çfarë do bëjë ajo.

Luli, a e pyeti ambasadoren se Reforma në Drejtësi është dhunuar nga Rilindja e Ramës dhe pse nuk denoncohen vjedhjet e mëdha nga qeveria në koncensione, PPP, etj.

Së fundmi Luli  a i kërkoi ambasadores të prononcohej për ndalimet e dhunshme të gazetarëve apo i futi një gotë verë nga restoranti shumë i shtrenjtë, duke u sqaruar “për rolin e opozitës në demokraci”.

Nëse nuk foli ambasadorja, pasi ka politikën e saj, por Luli duhet të flasë sepse opozita është katër muaj para zgjedhjeve e nuk duhet të ofertohet si me 18 maj 2017!

Eshtë kohë përballje me oligarkinë, krimin, mafien, pushtetin e dhunshëm.

Pushtet apo bashkëpushtet në tavolinë nuk mund të ketë, kur populli pret përjashta restorantit; pa bukë, pa shpresë dhe i rrethuar nga korrupsioni qeveritar.

https://arkiva.kohajone.com/lulzim-basha-darkon-me-ambasadoren-yuri-kim/

SHKARKO APP