Yuri Kim kërkon Kuvend të pastër, PS dhe PD përpara ”furtunës”

Nga: Redjon Shtylla

”Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në Parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre”.

Ky është mesazhi që la Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim në këto ditë të nxehta, kur politika është me pushime. SHBA prej kohësh ka bërë thirrje për ”pastrim” të politikës nga persona që kanë probleme me ligjin. Shpallja ”Non-Grata” nga SHBA-ja, është një sinjal i drejtëpërdrejtë që këta individë nuk duhet më të jenë në Kuvendin e Shqipërisë.

Por a do ti pastrojë PS dhe PD listat e kandidatëve që fituan mandatin e deputetit më 25 prill? Jemi në një situatë që PD do të jetë për një mandat të tretë në opozitë, dhe PS në pushtet. Zgjedhjet PD dhe LSI nuk i pranojnë edhe pse do të ulen në Kuvend, pas 2 vitesh mungesë. Si është e mundur që në listat e PS dhe PD ka njerëz të inkriminuar, dhe KQZ nuk i ka kapur? Kjo pasi të gjithë kandidatët që ishin pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit, janë verifikuar dhe kanë kaluar në sitën e institucioneve.

Kjo nuk është hera e parë që ambasadorja përcjell një mesazh të tillë. Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, ajo e përsëriti të njëjtin mesazh, kur LSI-ja iu përgjigj ”Rilindja e mbushi Kuvendin e Shqipërisë dhe bashkitë e vendit me kriminelë e trafikantë duke njollosur demokracinë dhe duke ia lënë mafias të drejtojë jetën e shqiptarëve të thjeshtë”.

Dukuria e futjes në politikë të personave me rekorde kriminale u shfaq në Shqipëri për herë të parë në zgjedhjet parlamentare 2009. Sistemi zgjedhor i centralizuar, që u përdor së pari në ato zgjedhje, bëri të mundur që të hynin në Parlament persona me rekorde kriminale, gjë që vijoi edhe në zgjedhjet parlamentare 2013.

Ambasadorja Yuri Kim nuk bën kompromis në këtë pjesë dhe është e vendosur që ti shkojë deri në fund ”luftës” për një Kuvend të pastër. Pak ditë më parë ajo u takua edhe me kreun e PD-së, Lulzim Basha, ku me stil i tha që ish-kryeministri Sali Berisha nuk duhet të jetë deputet në shtator.

Po ashtu ambasadorja Yuri Kim, ka thënë edhe se ”Është koha që udhëheqësit të reflektojnë dhe të ndërmarrin veprime të guximshme. Është koha për udhëheqësit që të tregoni kush jeni dhe çfarë mendoni se meriton ky vend. Është koha për të udhëhequr”.

Veç se të presim nëse PS dhe PD do të pastrojë listat, pasi një deklaratë e tillë nga ambasadorja e SHBA-së, nuk diskutohet që është e fortë dhe se ata i dinë se kush nga kandidatët fitues që do të ulen në Kuvend, kanë probleme me ligjin.

SHKARKO APP