Yuri Kim: Nuk jam prift, as polic. Jam një diplomate që punoj për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, thotë Shqipëria është një vend i veçantë sa i takon marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë ekskluzive për A2, Kim shprehu kënaqësinë e të punuarit në një vend si Shqipëria dhe tha se shqiptarët besojnë tek marrëdhënia me SHBA.
“Puna është më e lehtë në kuptimin që pika e nisjes është shumë në avantazhin tonë. Jam e nderuar të jem në Shqipëri, ku njerëzit vërtet besojnë tek marrëdhënia dhe vërtet besojnë tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj nuk mund të kërkoja më shumë. Por, siç thoni ju, do të thotë edhe që pritshmëritë janë të larta kështu kostoja do të ishte e madhe nëse nuk i përmbushim ato pritshmëri”, tha ajo në një intervistë ekskluzive për A2.
Sa i takon marrëdhënieve me politikanët apo persona të tjerë publikë me të cilët duhet punojë në vendin tonë, Kim e ka të qartë detyrën:
“Si diplomatë, ne merremi me një gamë të gjerë njerëzish dhe dua të theksoj përsëri që jam diplomate. Nuk jam prift. Nuk jam polic. Jam vetëm një diplomate dhe detyra ime këtu është të forcoj marrëdhënien midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan, pavarësisht se kush është në pozita pushteti në Uashington apo në Tiranë. Detyra ime është të ndërtoj marrëdhënie midis dy vendeve dhe është kënaqësi e madhe që jam në gjendje ta bëj këtë”, u shpreh Kim.
KOHA JONË SONDAZH

