Yuri Kim përsërit apelin: Shqipërinë duhet ta çlirojmë nga korrupsioni
E pranishme në punimet e konferencës “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim vuri edhe njëherë theksin te rëndësi që ka reforma në drejtësi në Shqipëri.
Teksa vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, diplomatja u shpreh se SHBA-ja do të vijojë të qëndrojë përkrah vendin tonë për reformimin e sistemit gjyqësor dhe çrrënjosjen e korrupsionit.
“Gjatë 31 viteve të fundit, shqiptarët e kanë nxjerrë vendin e tyre nga hijet e errëta të diktaturës dhe komunizmit për të ndërtuar një vend vërtet të lirë, vërtet demokratik dhe gjithnjë e më të begatë. Shtetet e Bashkuara janë krenare të jemi pranë jush për t’u ndihmuar sa të mundemi, krah për krah, ndërsa ju ndërmerrni udhëtimin tuaj.
Jemi jashtëzakonisht krenarë dhe duam të vazhdojmë t’ju ndihmojmë në këto momente kritike, të vazhdojmë të ecim përpara. Kjo është arsyeja pse ne e vëmë kaq shumë theksin në mbështetjen tonë për përpjekjen e Shqipërisë për të reformuar sistemin e saj gjyqësor dhe për të çliruar këtë shoqëri, këtë vend, nga korrupsioni”.