Yuri Kim takon Manastirliun: Zbatoni udhëzimet e OBSH-së, vigjilent ndaj virusit kinez

Virusi kinez i ka marrë jetën 1500 personave dhe frika në botë është e madhe. Shqipëria ka rrezikshmëri të ulët por masat janë marrë. Lidhur me këtë emergjencë globale, Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim ka pritur në një takim, ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Ambasada ka zbardhur detaje nga takimi, ku thuhet se në fokus të diskutimeve ka qenë mbrojtja nga virusi kinez. Ambasadorja Kim ka theksuar rëndësinë e të qenurit vigjilent ndaj këtij virusi si dhe zbatimin e udhëzimeve të OBSH. ”Gjatë bisedës së saj me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirlliu, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Kim diskutoi rëndësinë e të qenurit vigjilent mbi koronavirus dhe zbatimin e udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetit. Ato biseduan gjithashtu edhe klimën e kujdesit shëndetësor në Shqipëri si dhe risitë në modernizimin e kujdesit shëndetësor”, njofton ambasada e SHBA.

Drejtori i Programit të Emergjencave Shëndetësore për Ballkanin, në OBSH, Abebayehu Mengustu mbështeti hapat e ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjatë vizitës në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ku ndoqi nga afër masat e marra në nivelin e parë të shërbimit. “Zyra e OBSH do të japë mbështetje teknike për të gjitha vendet e Ballkanit dhe mbështetje sa i takon mjeteve mbrojtëse nëse do të jetë e nevojshme”.

Ndër masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë është trajnimi deri tani i 475 punonjësve të sistemit shëndetësor dhe vijon trajnimi kaskadë nga ekipet e urgjencës kombëtare, epidemiologët në të gjithë vendin. Janë menaxhuar në kohë reale nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT, 6 raste me historik udhëtimi në Kinë, të cilët janë testuar nga Laboratori i virologjisë në ISHP dhe asnjë prej tyre nuk rezultoi me koronavirus, ndërkohë prej tyre kanë rezultuar vetëm 2 raste me grip.

Mbështetur në survejancën e ngritur në pikat kufitare tëtë gjitha niveleve është kryer vlerësim i 180 shtetasve të cilët kanë hyrë në Shqipëri nga momenti i vendosjes në ALERT dhe kanë pasur histori udhëtimi me Kinën, nga të cilët vetëm 88 persona janë vlerësuar nga Aeroporti i Rinasit dhe asnjë nga këta udhëtarë nuk ka paraqitur shenja klinike të koronavirusit të ri në momentin e vlerësimit në nivel kufitar.

Shqipëria ka kapacitetet dhe është e përgatitur për një situate të mundshme të prekjes nga koronavirusi i ri dhe kjo është vlerësuar edhe në raportin e fundit mbi Indeksin Global të Sigurisë Shëndetësore i publikuar nga “The Economist”, Shqipëria renditet në vendin e 39 për sigurinë shëndetësore, ndër 195 vende të vlerësuara. Ndërsa sa i takon specifikave, si zbulimit të hershëm dhe reagimit të shpejtë ndaj epidemive, në një situatë ku të gjitha vendet janë të angazhuara me masat per koronavirusin e ri, Shqipëria është renditur në vendin e 25 duke lënë pas vende si Austria, Kroacia, etj.

SHKARKO APP