Z. Kryeministër, mos bëni të çuditurin sot, jeni ju që po na çoni në një tragjedi të tretë!
Nga Tritan Shehu
Rama teatral po proteston në “Financial Times” ndaj Francës e Brukselit për bllokimin prej 5 vitesh të procesit të integrimit, duke folur për një shkëputje të tretë!
Është e vërtetë që shqiptarët në histori kanë pasur dy periudha tragjike, ato të shkëputjes së dhunshme nga Europa, gjatë sundimit otoman dhe atij komunist.
Fatkeqësisht, nën sundimin e Rilindjes po rrezikojmë për të tretën herë këtë tragjedi, duke stopuar integrimin e ndërtuar këtu një autokraci lindore.
Shteti i sotëm, arroganca, sistemi i drejtësisë i dekapituar, “Kuvendi” 122-sh, pushteti lokal i emëruar, grupet kriminale e droga që kontrollojnë institucionet, e deri te eksodet masive të qytetarëve tanë, më shumë se nga Afganistani e Siria, flasin për një devijim të demokracisë Perëndimore drejt një despotizmi Lindor.
Politikat tuaja të jashtme, lidhjet, aleancat, preferencat personale, e deri te kondicionimet që ju imponohen, predominojnë dukshëm me Lindjen.
Ndërsa sot po çuditeni pse Europa, jo vetëm Franca, është skeptike e po bllokon integrimin tonë prej vitit 2015, kur Macron mbas të cilit ju tentoni të fshiheni, nuk ishte akoma President.
Shkakun kërkojeni te politikat tuaja, deformimet e thella të demokracisë që u krijuan në këto 6 vite, te modeli Lindor që doni të ndërtoni në një vend Perëndimor, duke rrezikuar kështu një tragjedi të tretë për shqiptarët.
Veçse kohët kanë ndryshuar, shqiptarët nuk do t’ia lejojnë më askujt një katastrofë të tillë.