Zbardhet e shkuara kriminale e kandidatëve për zgjedhjet vendore
Të dhëna policore të marra nga BIRN në Itali dhe Zvicër tregojnë se së paku tri kandidatë që garojnë në zgjedhjet e së dielës kanë të shkuar kriminale.
Shqiptarët do të votojnë të dielën për të zgjedhur kryebashkiakët dhe këshilltarët e 61 bashkive, në një palë zgjedhjesh që konsiderohen si shumë të rëndësishme për ambiciet e vendit në përparimin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Gjithsesi, të dhëna të mbledhura nga BIRN nga agjencitë ligjzbatuese nëpër Europë tregojnë se një numër kandidatësh të nominuar nga partitë politike kanë të shkuar kriminale. Madje, disa janë akuzuar për kontrabandë të sasive të mëdha të drogës mes vendeve të ndryshme të Europës.
Prova të siguruara nga BIRN tregojnë se dy kandidatë që garojnë për koalicionin e udhëhequr nga Partia Socialiste, Artur Bushi dhe Elvis Rroshi, të cilët kërkojnë postet e kryebashkiakëve në Krujë dhe Kavajë, kanë qenë të arrestuar për trafik droge.
Një kandidat nga Partia Demokratike për bashkinë Këlcyrë, Gentian Muhameti, është ndërkohë i dënuar për trafik droge.
Gjithsesi, Partia Demokratike më vonë e tërhoqi Muhametin nga lista e saj e kandidatëve, dukshëm nën presion nga BE dhe SHBA-të.
Partia në pushtet nuk e ka bërë këtë. Një zëdhënës për kryeministrin Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, mohoi akuzën që partia e tij ka nominuar “ndonjë kandidat të dënuar penalisht nga ndonjë gjykatë vendëse apo e huaj, qoftë me vendim të formës jo të prerë”.
Një zëdhënës i Rroshit i tha BIRN se akuzat janë të pavërteta dhe të motivuara politikisht. Ndërsa zëdhënësi i Bushit nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk komentoi arsyen pse demokratët e patën mbështetur më herët kandidimin e Muhametit për ta tërhequr atë më pas.
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu dhe kreu i Delegacionit të BE-së, Romana Vlahutin, i thanë BIRN se vendosmëria e dukshme e partive për të kandiduar njerëz të dyshuar për krime përbën një poshtërim të popullit shqiptar.
Që të dy kanë bërë thirrje që votuesit të refuzojnë kandidatët e dyshuar, kur të hedhin votën të dielën.
Vlahutin shtoi se kandidimi i njerëzve me të shkuar kriminale do të ketë edhe pasoja negative në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Pas një bojkoti gjashtëmujor të opozitës në parlament, në dhjetor 2014, me ndërmjetësim të Parlamentit Europian, socialistët në pushtet dhe demokratët arritën një marrëveshje dhe premtuan se do të zgjidhin problemin e njerëzve me të shkuar kriminale që garojnë për poste publike.
Gjithsesi, provat e mbledhura nga BIRN tregojnë se partitë politike thjesht po shtireshin përballë Brukselit.
Ironikisht, Artur Bushi si ish deputet, mbështeti në janar një rezolutë të parlamentit, ku bëhej thirrje ndaj partive politike që të pastronin radhët e veta nga njerëzit me të shkuar kriminale.
Para se të bëhej deputet më 2013, policia italiane e arrestoi Bushin më 11 qershor 2010 në qytezën e Gallaratës.
Ata e mbajtën atë deri më 24 korrik atë vit, të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale, të njohur si banda e Morriggia-s.
Franco Novati, një ish komandant policie në Gallarate, i cili drejtoi hetimin, i tha BIRN se kjo bandë importonte kokainë nga Hollanda në Itali.
“Kur ne i vumë nëntë prej tyre nën përgjim, ata folën për ‘pjesë këmbimi’, por ne e dinim se kjo qe fjala në kod për kokainën,” rikujtoi ai.
Novati tha se kokaina vinte nga Amsterdami përmes korrierëve dhe shitej me shumicë te bosët vendorë në Breshia, Modena, Luka dhe Piaçenza.
“Ne ndërhymë në transportin e fundit të 10 apo 11 kileve të kokainës nga Hollanda dhe arrestuam bandën,” shtoi ai.
Gjithsesi, megjithëse Bushi u arrestua, ai nuk u dënua, tha për BIRN zyra e prokurorisë së Busto Arsizio.
“Çështja e Bushit u nda mënjanë nga çështja nr. 1986/2010RGNR mbi bandën Moriggia. Numri i çështjes së re qe 7257/2010,” shpjegoi një zëdhënës.
“Më 20 mars 2011, çështja e Bushit u arkivua dhe u mbyll pa dënim kundër tij,” shtoi zëdhënësi.
Novati tha se Bushi pretendoi në gjykatë se ai po shkonte në Hollandë bashkë me të tjerët, thjesht për të blerë makina dhe për t’i shitur në Itali dhe se nuk kishte dijeni për atë se çfarë bënin të tjerët në Hollandë.
“Policia qe e sigurt që ai qe i përfshirë, por provat nuk qenë të mjaftueshme në gjykatë,” tha Novati. “Ai qe pranë bosit të bandës Morrigia”, shtoi ish-shefi i policisë, aktualisht në pension.
Një kandidat tjetër i akuzuar në të shkuarën – dhe i dënuar – për trafik droge, është ajo e kryetarit të bashkisë Kavajë Elvis Rroshi, i njohur gjithashtu si Ervin Rroshi.
Rroshi, i cili u zgjodh më 2011 si kryebashkiak, po kërkon aktualisht një mandat të dytë në këtë bashki.
Para se të bëhej kryebashkiak, Rroshi qe dënuar në Zvicër për shpërndarje droge.
Një zyrtar i Zvicrës, i cili foli në kushtin e anonimatit, i tha BIRN se të dhënat policore të Zvicrës tregojnë se Rroshi qe subjekt procedimi penal nga viti 1993 deri më 1997.
“Ai u hetua për trafik droge dhe shpërndarje, por nga ajo që mund të shoh unë, qe një peshk i vogël,” tha zyrtari i policisë për BIRN.
“Atij iu dha një dënim i vogël dhe u deportua në Shqipëri pas periudhës së paraburgimit,” shtoi ai.
I njëjti burim tha se autoritetet e Shqipërisë patën kërkuar informacion në vitin 2011 nga homologët e tyre zviceranë nëse Rroshi qe dënuar për trafik droge dhe pastrim parash dhe se ata e patën marrë përgjigjen.
“Interpol Tirana mori të njëjtin informacion,” specifikoi zyrtari zviceran.
Zëdhënësi i Rroshit, Shpend Barameta i tha BIRN se ai nuk ka qenë asnjëherë i dënuar.
“Na vjen vërtet keq që situata dhe histori të tilla sajohen sa herë ka fushata zgjedhore…,” tha ai.
Endri Fuga, këshilltar i kryeministrit Edi Rama, gjithashtu mohoi që ndonjë nga kandidatët e koalicionit të udhëhequr nga socialistët, Aleanca për Shqipërinë Europiane, qe dënuar për krime.
“Partia Socialiste dhe Aleanca për Shqipërinë Europiane po punojnë për një ligj europian dhe demokratik, përmes të cilit të vendoset një vijë e kuqe që ndalon zgjedhjen apo emërimin në detyrat publike të personave me rekorde kriminale,” tha ai.
“Të tjerat janë politikë e llojit të ulët që merr rëndom formën antidemokratike të gjuetisë së shtrigave, të cilën, Partia Socialiste e refuzon me bindje të plotë si mjet famëkeq të së kaluarës diktatoriale apo gjysmëdiktatoriale,” shtoi Fuga.
Gentian Muhameti, kandidat për Këlcyrën, i cili më pas u tërhoq nga Partia Demokratike, qe arrestuar gjithashtu në Itali më 1997, për trafik droge.
Eliana Martella, zëdhënëse e policisë për qytetin e Leçes në Italinë e jugut i tha BIRN se Muhameti qe arrestuar më 20 janar 1997 në Melendugno, provinca e Leçes, me 30 kilogramë marijuanë.
“Ai u dënua me dy vjet burg dhe me 15 milionë lireta [gjobë] (në atë kohë rreth 7,500 euro],” shtoi Martella.
“Ai e pranoi fajin dhe përfitoi një dënim [të reduktuar] prej një viti e gjashtë muajsh burg dhe 10 milionë lireta [gjobë] më 15 mars 1997”, shtoi ajo.
Më 9 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi për të hequr Muhametin nga lista e kandidatëve për Partinë Demokratike. Kolegji Zgjedhor, një gjykatë e specializuar për mosmarrëveshjet zgjedhore, e la në fuqi këtë vendim.
KQZ, njësoj si partitë politike, ka qenë nën presion nga SHBA dhe BE për të ndaluar kandidatët me të shkuar kriminale në zgjedhje.
Drejtuesja e delegacionit të BE-së në Tiranë Vlahutin, i tha BIRN se kjo qe një çështje për të cilën BE “ka lobuar fort… për shkak se zyrat publike janë për t’i shërbyer popullit”.
“Të vendosësh nëpër lista njerëz për të cilët ka të dhëna se janë të përfshirë në aktivitet kriminal, veçanërisht trafik droge, trafik qeniesh njerëzore dhe prostitucion, është fyese dhe poshtëruese për qytetarët, votat e të cilëve kërkojnë këto parti politike,” tha ajo.
“Në procesin e integrimit do të analizohet gjithashtu angazhimi për t’i dhënë qytetarëve qeverisjen më të mirë, kështu që do të ketë efekt, por ne duhet të jemi njësoj, madje edhe më shumë të shqetësuar për pasojat që kjo do të ketë mbi shoqërinë [shqiptare],” shtoi Vlahutin.
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, i cili ka bërë gjithashtu përpjekje kundër nominimit të kandidatëve me të shkuar kriminale, thotë se Shqipëria meriton të ketë kandidatë më të mirë.
“Nëse do të zgjidhen, ata do pretendojnë se ju mbështesin, ndërkohë që vjedhin paratë tuaja për të financuar Mercedezët e zinj luksozë, vilat anës detit apo rezidencat e tyre skandaloze. Shqipëria meriton më shumë,” tha ai mbi këta kandidatë.
“Tashmë i takon votuesve t’i refuzojnë këta kriminelë që përbëjnë tallje për sistemin politik të Shqipërisë,” shtoi ai./BIRN/